Moderatorja për pushimet e shqiptarëve: Nuk ua mban xhepi dhe shkojnë në vende të shtrenjta

Njëra nga temat kryesore të ditëve të fundit janë çmimet e shtrenjta në bregdetin shqiptar.

Lidhur me pushimet në Shqipëri u diskutua edhe tek “Trotuar” në “E diell”

“Sa kushtojnë pushimet në Shqipëri?”, ishte pyetja që u shtrua.

Të ftuarit për të diskutuar mbi këtë temë ishin të ndarë, ku gjatë bisedës bëri përshtypje një deklaratë e moderatores, Alesia Bamit.

Moderatorja u shpreh ndër të tjera se shqiptarëve ndonëse nuk ua mban xhepi preferojnë vendet e shtrenjta.

“Ideja është që secili vendos vetë se ku mund të shkojë, në vende të qeta apo ku ka më shumë zhurmë. Kam dëgjuar me shumë kujdes një njeri shumë të suksesshëm të biznesit, i cili më tha: Shqiptarët janë të prirë të shkojnë në vendet më të shtrenjta. Këtu kishte një biznes tjetër që i mbante më lirë se ai dhe të gjithë ishin mbledhur te biznesi i atij. Kjo ndodh se shqiptarët duan, nuk përgjithësoj të gjithë, janë një përqindje e tyre që janë të prirë drejt markave. Ndoshta xhepi i tyre nuk i përballon, por për shkak të shoqërisë apo shitjen e mendjes që ne duam ta bëjmë. Unë mendoj se ka si në veri ashtu dhe në jug që ka edhe për shtresën e mesme dhe të ulët, por ka edhe për shtresën që ua mban xhepi”, u shpreh moderatorja shqiptare