Masa ndaj mediave nga Kuvendi dhe Qeveria: Bislimit i kërkohet, por nuk distancohet nga deklarata e Fitore Pacollit

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, sot është para Komisionit për Integrime Evropiane, ku i është kërkuar të distancohet nga deklarata e deputetes Fitore Pacolli për mediat.

Blerta Deliu e PDK-së, pati replika të ashpra me Bislimin, i cili tha ‘se është aty për procesin e integrimeve’. Por në debat është kyçur nënkryetarja e Komisionit nga radhët e Vetëvendosjes, Arbëreshë Kryeziu-Hysenit.

“Për rastin e Fitore Pacollit, pse s’po e thoni një fjalë, pse s’po merrni anë me thanë është gabim sepse jeni zëvendëskryeministër përgjegjës për procesin integrues dhe për çështje të dialogut. Prandaj, ju e dini shumë mirë, për një vend demokratik që raportet të vijnë me zëra të shumicës që sot kërkon cenzurë, dhe kërkon të ketë kontroll nga Kuvendi dhe Qeveria për mediat, është më e pakta që duhet ta thoni sot në këtë takim”, tha Blerta Deliu, përcjell Periskopi.

Por zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, nuk dëshiron fare ta prekë këtë temë.

Mirëpo, në këtë debat, foli Arbëreshë Kryeziu-Hyseni e Vetëvendosjes.

“Zonja Deliu ti nuk ke qenë aq e zëshme në atë kohë. Në atë kohë kur raportuesit kanë idenfiku me emër e mbiemër persona politikanë që kanë ndiku mbi mediat, nuk ke qenë kaq e zëshme. Mos e hudhni debatin në një pikë ku ju dëshironi”, tha ajo, përcjell Periskopi.

Por, Deliu e PDK-së, këmbënguli në këtë temë, të cilën sërish nuk deshi ta flasë Bislimi.

“Unë ma se paku sot dua ta kthej këtë diskutim brenda kolegëve deputetë. Unë dua përgjigje nga zëvendëskryeministri. Nëse qeveria nuk di me artikulu punën e saj, dilni në vendin e zëvendëskryeministrit, le të mos flasë fare. Kur një parti me 50,2 për qind, tenton që kritikën ta mbyllë duke kërku kontroll të Kuvendit dhe Qeverisë, këtu e mbylli debatin me ju”, tha Deliu.