Kryetarja e sindikatës flet për ikjen e mjekëve, mbi 200 prej tyre e kanë lëshuar Kosovën

Kushtet e punës, politikat shëndetësore dhe pagat janë disa nga arsyet e mjekëve të Kosovës, të cilët nga dita në ditë po ikin për të kërkuar punë në vende të ndryshme të Evropës e më gjerë.Kryetarja e Sindikatës së Mjekëve të Kosovës, Tevide Imeri tha se ikja e mjekëve është një shqetësim i madh.

Imeri tha se kjo është kthyer në një fenomen që po i përcjell ndër vite dhe kohëve të fundit sipas saj, ikjet janë bërë dhe më të dukshme.

“Është fenomen që po na përcjell ndër vite dhe kohëve të fundit ikjet janë bërë dhe më të dukshme dhe ndoshta kanë filluar t’i humbin shpresat për një shëndetësi më të mirë, për një shëndetësi e cila do të ishte prioritet i qeverisë, por siç duket është një zhgënjim i madh tek punëtorët shëndetësor, tek mjekët por edhe te infermierët, pasi krahas mjekëve edhe infermierët po ikin”, ka thënë ajo.

Sipas saj, mjekët që janë duke e lëshuar vendin janë ata që kanë notë mesatare të larta

“Po shkojnë mjekët dhe infermierët që kanë notë mesatare të lartë sepse zgjedhin cilësi, pasi edhe shtetet zgjedhin. Çka po marrin, po e marrin ajkën e shëndetësisë të Kosovës dhe kjo është shumë e dhimbshme për shtetin tonë, por është e dhimbshme për qytetarët tonë se ka mundësi që shumë shpejt të ngelemi pa shërbime kryesore”, u shpreh Imeri.

Mirëpo, Imeri ngriti dhe një shqetësim tjetër, pasi mjekët siç tha ajo jo vetëm që po ikin dhe po e lëshojnë vendin, por ata janë duke i lëshuar institucionet publike për të kaluar në institucione private.

“Jeni dëshmitarë të asaj që mjekët përveç që po ikin, po i lëshojnë institucionet publike dhe po kalojnë në institucione private dhe kjo është një shqetësim shumë i madh dhe për ne si federatë, sepse ne brengosemi dhe për qytetarët dhe për shëndetin e qytetarëve. Tek e fundit është humane. Çdo ditë ju i shihni dhe përmes mediave dhe ne i shohim direkt se si i lëshojnë institucionet publike dhe kalojnë në institucionet private”.

Ajo tha se janë një sërë çështjes pse mjekët janë të pakënaqur me kushtet e punës që i kanë në institucione publike në Kosovë.

“Nuk është çështja vetëm e pagave, por janë dhe plotë gjëra tjera të cilat e bëjnë mjekun ose punëtorin shëndetësor që të ik nga vendi ose të kaloj në institucionet private. E kemi sigurinë në punë, nuk ka siguri në punë të mjaftueshme, sulmohet mjeku, infermieri.

Ju e dini fort mirë sa herë ka ndodh që janë therë me thikë, janë rrahur dhe me një formë ose një tjetër pas gjithë këtij sulmi është bërë një lloj spektakli dhe nuk ka pasur keqardhje nga institucionet, por më tepër e kanë pa si spektakël.

Shqetësimi tjetër është kushtet e punës, mjetet e punës, atë që unë e di ndodh që edhe stetoskop të mirë nuk kanë ose i kanë të lëna pas dore. Një zhveshtore i mungon institucioneve shëndetësore në të cilat do të duhet të ndërrohet punëtori shëndetësor”, tha ajo duke shtuar se të gjitha këto tregojnë se punëtori shëndetësor është i ulur përtokë, është i nënçmuar, dhe asnjëherë nuk merret si prioritet.

Por pse ndodh kjo, Imeri u shpreh: “Sepse politikëbërësit nuk e kanë marr për prioritet, sepse personalisht nuk marrin shërbime në institucionet publike. Mendoj që krejt kjo është problemi. Ministri i Shëndetësisë tash kohët e fundit që e kishte një intervenim, e kishte vërejt se në çfarë kushtesh punojnë punëtorët dhe dukej shumë i zhgënjyer dhe besoj që do të reflektoj ministri pas asaj gjendje skandaloze që ka pa në spitalin e QKUK-së, në kirurgji”.

Imeri tutje tha se është koha e fundit që të reflektohet dhe mos të ikin mjekët nga vendi.

“Nuk është çështja vetëm tek paga, pasi ajo është e fundit që punëtorin shëndetësor e ka përul, e ka denigru, dhe e ka vënë në një pagë, të cilin e ka edhe shoferi i zëvendësministrave. Ju e dini sa ka një kosto për ta nxjerr një doktor të diplomuar. Pastaj sa kohë harxhon dhe sa humb financiarisht në momentin që bëhet student i mjekësisë, pastaj është një specializim që zgjat katër vjet dhe sub-specializim dy vite, që i bien 22 vite shkollim. Krejt këto janë humbje dhe kanë një kosto aq të madhe…është koha e fundit që të reflektohet mos të ikin mjekët nga vendi ynë, t’i ndalojmë mjekët dhe të bëjmë diçka”, tha ajo.

Por si mund të ndalohen mjekët që mos të largohen nga vendi?

Kryetarja e Sindikatës tha se për t’i kthyer mjekët është gati e pamundshme, por Kosova duhet t’i ndalojë ata që duan të ikin.

“Për t’i kthyer mjekët mos të them është e pamundshme, le t’i ndalojnë këta që duan të ikin. Qeveria duhet ta qet prioritet shëndetësinë njëherë e mirë dhe të rregulloj Ligjin e Pagave, ta nxjerr Ligjin mbi Sigurimet Shëndetësore dhe të punoj në kushtet e punës, dhe sigurimin e punëtorëve shëndetësor. Krejt kjo kish me ndal ikjen. Pasi secili punëtor shëndetësor ndihet i nënçmuar nga qeveria, nga politik bërja pastaj nënçmohet dhe nga qytetari”, ka thënë ajo.

Imeri tregoi se më shumë se 200 mjekë e kanë lëshuar Kosovën.

“Nuk kam statistika të sakta, por flitet diku që pasi jemi duke punuar në këtë aspekt e po pres informata zyrtare, por rreth 200 mjekë e kanë lëshuar Kosovën”, tha ndër të tjera, Tevide Imeri nga Sindikata e Mjekëve të Kosovës