Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli është duke raportuar para Komisionit Hetimor për energjinë e formuar nga opozita, ku kryesues është deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.
Ajo foli për gjendjen e rëndë që qytetarët e Kosovës u përballën me muaj të tërë gjatë këtij viti.
“Ne kemi arritur rekord sa i përket kërkesës për energji dhe kjo e ka vështirësuar. Është nënshkruar një marrëveshje me KEK për energjinë elektrike, në ato kohë të vështira, ka pasur reduktime të energjisë për shkak të energjisë së pamjaftueshme që e kemi prodhuar. Ky është ai momenti kur janë ndarë 20 milionë euro në dhjetor për subvencionimin e energjisë elektrike”, tha ajo.
“Kemi pasur edhe takime bilaterale me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut për bashkëpunim për tejkalim të krizës, mirëpo, thjesht nuk ka pasur, pavarësisht vullnetit politik të tri palëve për bashkëpunim, ka qenë e parealizueshme, pasi Shqipëria është përballur me një krizë më të madhe sesa ne. Ndërsa, me RMV-në kemi diskutuar për mundësinë e këmbimit të thëngjillit me energji elektrike, ka qenë e parealizueshme së paku për muajt në dimër kur kemi qenë në krizë. Logjistikisht, një gjë e tillë ka qenë e pamundur nga ana jonë”, shtoi ministrja.
Gjithashtu, Rizvanolli njoftoi se përderisa situata ka qenë e rënduar, Qeveria ka vendosur të ndajë edhe 10 milionë të tjera muaj më parë shpenzimi i së cilave ka filluar menjëherë.