Bashkimi Evropian vazhdon të mbështesë forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë

BE vazhdon të mbështesë forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, është shprehur i lumtur që në dy javët e fundit në Kosovë janë miratuar disa ligje që siç ka thënë, janë të rëndësishme për procesin e integrimit evropian.

Ai ka përmendur Ligjin për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Ligjin e ri për Deklarimin e Pasurisë dhe Kodin e ri për Procedurën Penale.Në një postim në Twitter, Szunyog ka thënë se miratimi i këtyre ligjeve është hap kyç legjislativ në garantimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Më vjen mirë që gjatë 2 javëve të fundit Kuvendi i Kosovës ka miratuar disa ligje që janë të rëndësishme për procesin e integrimit evropian, përfshirë këtu Ligjin për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Ligjin e ri për Deklarimin e Pasurisë dhe Kodin e ri për Procedurën Penale. Miratimi i këtyre ligjeve paraqet një hap kyç legjislativ në garantimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe ato janë gjithashtu pjesë e Agjendës së Reformës Evropiane II”, ka shkruar ai.

Sipas tij BE-ja do të vazhdojë të mbështesë forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe punën e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.