Gazprom shpreh dyshime për rikthimin e shpejtë të dërgesave me gaz

Gjiganti rus i energjisë, Gazprom, duket se ka shprehur dyshime lidhur me mundësinë e rikthimit të shpejtë të dërgesave të gazit natyror me kapacitet të plotë në Evropë përmes gazsjellësit Rrjedha Veriore 1.

Gazpromi muajin e kaluar zvogëloi dërgesat me gaz në Gjermani përmes gazsjellësit Rrjedha Veriore 1. Kjo kompani shtetërore citoi problemet teknike përfshirë edhe një pajisje që është dërguar për riparim në Kanada te kompania partnere, Siemens, por kjo pajisje nuk është kthyer për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Qeveria kanadeze tha gjatë fundjavës se do të lejojë që turbina e gazit të dërgohet në Gjermani.

Në deklaratën më 13 korrik të publikuar në Twitter, Gazprom tha se “nuk kemi asnjë dokument që do t’i lejonte Siemensit të nxjerrë nga Kanadaja motorin e turbinës së gazit”. Kompania shtoi se “nën këto rrethana, duket e pamundur që të arrihet në përfundim sa i përket operacionit të sigurt” në stacionin e kompresimit që gjendet në pjesën ruse të gazsjellësit.

Gazsjellësi Rrjedha Veriore 1 sjellë gazin nën Detin Baltik. Ky gazsjellës është burimi kryesor i Gjermanisë për gazin rus, që përbën afër 35 për qind të furnizimeve të përgjithshme të shtetit.

Politikanët gjermanë kanë hedhur poshtë shpjegimin e Gazpromit se problemet teknike kanë ndikuar në uljen e dërgesave të gazit, duke thënë se vendimi ishte politik për të nxitur paqartësi dhe për të rritur edhe më tej çmimet e energjisë.

Të hënën, Rrjedha Veriore 1 u mbyll plotësisht për mirëmbajtje, e cila pritet të zgjasë deri më 21 korrik. Zyrtarët gjermanë janë të shqetësuar se Rusia mund të ndërpresë plotësisht furnizimet me gaz.