Murtezaj: 355 milionë euro të hyra tatimore në ATK për gjashtë muaj, sfidë mbesin borxhet

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj, ka prezantuar rezultatet e aktiviteteve të zhvilluara të këtij institucioni për periudhën janar-qershor 2022.

Murtezaj tha se gjatë periudhës 6 mujore ATK-ja ka mbledhur 355 milionë euro të hyra tatimore. Ndërsa, për këtë ia lë meritat disa faktorëve, si fuqizimit të kontrollit të brendshëm, efikasitetit në mbledhjen e borxheve e dixhitalizimit.

“Si rezultat i përformancës dhe të hyrave tatimore, ATK-ja në shumë fusha është institucion lider në rajon. Gjatë periudhës 6 mujore jemi vlerësuar nga FMN-ja. ATK ndër objektivat kyçe ka pasur ofrimin e shërbimeve. Si rezultat është arritur që ATK të mbledhë gjatë 6 mujorit të hyrat mbi 355 milion euro tatime. Në krahasim me planin kemi rritje prej 26.5 milionë euro, apo 8.1 përqind”.

“Ndër faktorët që kanë ndikuar në rritjen e të hyrave janë: fuqizimi i kontrollit të brendshëm, rritja e efikasitetit në mbledhjen e borxheve, njeri prej indikatorëve të përformancës ka qenë edhe funksioni i mbledhjes së borxheve, dixhitalizimi i shërbimeve ndaj tatimpaguesve 100%, shërbimet profesionale, rritja e transparencës, rritja e bashkëpunimit me institucione vendore dhe ndërkombëtare, zbatimi i rekomandimeve. Kemi pasur bashkëpunim edhe me organizata ndërkombëtare.Kjo ka bërë që të kemi rritje të hyrave tatimore. Njëra prej reformave të ATK-së është reforma e rimbursimit të tatimeve. Në këtë periudhë është arritur të bëhet edhe zhvillimi i aplikacioneve i rimbursimit të tatimeve dhe analizës së rrezikut”, u shpreh ai.

Tutje, Murtezaj tha se një ndër sfidat e ATK-së mbesin borxhet e që në vitin 2022 janë inkasuar 76 milion euro.

“Në kuadër të reformave është edhe procesi i rreziqeve në përmbushje tatimore. Ato janë sektori i ndërtimtarisë, gastronomisë, punësimi joformal, projekti mos deklarues. Vazhdojmë të kemi edhe sfida që nganjëherë janë vështirë të tejkalueshme. Në përgjithësi qeverisë mundohemi t’ia adresojmë dhe t’i zgjidhim së bashku. Ne kemi identifikuar, finalizimin dhe impelentimin e projektit të IT-së, zvogëlimin e stokut të borxheve, përmirësimin e regjistrit të tatimpaguesve”.

Një ndër synimet e ATK-së, sipas Murtezajt mbetet edhe implementimi i planit strategjik të ATK-së 2022-2026, raporton EO.

“Përmirësimi i përmbushjes së tatimpaguesve të mëdhenj, zbatimi i programit kombëtar për MSA, implementimi i planit afatmesëm të reformës 2021-2023, implementimi i planeve në sektorë me rrezik, projekti ndërtimtaria, ngritja e kapaciteteve në fushën e menaxhimit të rrezikut ”.

No description available.