Një person ka therur veten me thikë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, më saktësisht afër objektit të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Rastin për lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili ka thënë se njësitet policore kanë reaguar me shpejtësi.
“Më datë 11.07.2022. rreth orës 14:35, Policia e Kosovës ka pranuar informatën lidhur me prezencën e një personi me thikë në dorë te Sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë Menjëherë janë njoftuar dhe angazhuar njësitet relevante policore, të cilat kanë reaguar me shpejtësi në vendin e ngjarjes. Sipas informacioneve fillestare dyshohet se personi i dyshuar ka lënduar vetveten me një mjet të mprehtë (thikë). Është njoftuar ndihma e shpejtë e cila po ashtu ka arritur në vendin e ngjarjes”, ka thënë Hoxha.
Ai ka deklaruar se sa i përket lëndimeve të shkaktuara, mund të flasin autoritetet kompetente shëndetësore.
Policia është duke kryer hetime relevante lidhur me rastin.