Avancimi i Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, diplomati serb: Ka presion mbi vendet që se njohin Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq, ka thënë se 5 shteteve që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, po u bëhet presion që ta ndryshojnë qëndrimin e tyre.

Selakoviq, ka shtuar duke thënë se ky presion është më i madh se kurrë më parë, madje është presion më i madh se sa në vitin 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë e saj.

“Ka shumë presion mbi ato vende, më shumë se kurrë më parë dhe se sa ishte në vitin 2008. Ka një veprim që kërkon shumë kohë. Varet nga ne të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur marrëdhëniet më të mira miqësore të mundshme me ato vende. Vendet, të kuptojnë se as për ta nuk është e lehtë për shkak të atyre presioneve dhe shantazheve”, tha Selakoviq.

Kujtojmë që pesë shtetet që janë anëtare të Bashkimit Evropian dhe të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës janë Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

Përndryshe, çështja e Kosovës në arenën ndërkombëtare ka marrë jehonë më të madhe, duke theksuar se Kosova meriton liberalizimin e vizave dhe se po ashtu, dialogu mes saj dhe Serbisë në fund duhet të përfundoj me njohje reciproke.

Përveç kësaj, Kosova gjatë muajve të fundit, duket sikur është afruar Greqinë në rrafshin politik ku një njohje e Greqisë për pavarësinë e Kosovës duket si një opsion i mundshëm.

Madje, përveç Greqisë, qëndrime pozitive në raport me Kosovën kanë ardhur edhe nga Spanja. Ku pak ditë më parë, kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, është deklaruar pro heqjes së vizave për Kosovën.