Aktori amerikan, Matt Ford është bërë personi i parë i prekur nga lija e majmunëve që e pranoi publikisht.
Me anë të disa postimeve në Twitter, Ford, tha se sëmundja është e padurueshme pasi ai nuk është në gjendje të flejë gjatë natës. Ai gjithashtu kritikoi qeverinë amerikane për reagimin e saj të ngadaltë ndaj virusit që ka infektuar më shumë se 142 mijë njerëz në vend.
“Qeveria duhet të rrisë ritmin e vaksinave dhe testimit. Përgjigja e ngadaltë është mjaft e papranueshme,”–u shpreh Ford. Aktori tregoi se ishte infektuar me këtë virus përmes kontaktit “lëkurë me lëkurë”, dhe simptomat i janë shfaqur një javë pasi u infektua në Los Anxhelos. Disa nga simptomat e kësaj sëmundje, sipas rrëfimit të Ford janë ethe, të dridhura, djersitje dhe një lodhje intensive.
Pasi simptomat e ngjashme me gripin u shuan, njolla të dukshme u shfaqën në vende të ndryshme të trupit të tij. Mjeku i Fordit e këshilloi atë që të bënte një test, i cili u dërgua në Departamentin e Shëndetit Publik duke konfirmuar se ai doli pozitiv. Të tjerë raportuan ishte një infeksion i lehtë, mirëpo aktori shprehet se është duke luftuar për të fjetur gjatë gjithë natës.
Ai gjithashtu zbuloi se kishte njolla në të gjithë trupin e tij, duke përfshirë fytyrën, krahët, duart dhe barkun.
“Unë mendoj se në total kam numëruar 25 dhe ka edhe disa në zonat më të ndjeshme që priren të jenë më të dhimbshmet. Ato janë aq të dhimbshme saqë më është dashur të shkoj te mjeku im për të marrë ilaçe kundër dhimbjeve vetëm që të mund të fle”, citohet të ketë thënë Ford.
Aktori gjithashtu u bëri thirrje njerëzve që të vaksinohen. “Unë kam lijë majmuni aktualisht dhe kjo nuk është absolutisht shaka. Vaksinohuni nëse mundeni dhe kini kujdes,”-shkroi Ford në Twitter