Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla po vazhdon vizitën në Bruksel, ku sot ka takuar zëvendëskryeministren e Ministren e Administratës Publike, Petra De Sutter.
Sveçla e ka falenderuar De Sutter për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën dhe e ka njoftuar, siç ka thënë ai, “për të arriturat e qeverisë sonë, ndër të tjera në sundimin e ligjit e luftimin e krimit dhe korrupsionit”.
“Diskutuam për projekte konkrete në fushën e administratës publike, konkretisht në projektet tona në fushën e digjitalizimit të shërbimeve publike dhe procedurave administrative, proceset e rekrutimit si dhe në përmirësimin e sigurisë kibernetike”, ka shkruar Sveçla.
Po ashtu thuhet se De Sutter shprehu gatishmërinë e saj për mbështetjen e shtetit belg në projektet e administratës publike si dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.