Policia e Kosovës ka njoftuar se janë raportuar pesë raste të dhunës në familje.
Më datë 3 korrik janë raportuar tri raste. Policia ka njoftuar se është arrestuar një vajzë e cila ka ushtruar dhunë ndaj nënës së saj.
“Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e policisë.
Edhe në Prishtinë një i mitur ka informuar se babai i tij ka ushtruar dhunë psikike ndaj tij.
“I dyshuari gjendet në arrati, rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftim.Kurse në Fushë Kosovë është arrestuar një person i cili në gjendje të dehur ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.
“Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq, më 4 korrik janë raportuar dy raste njëra në Prishtinë e tjetra në Viti.
Në Prishtinë një grua ka njoftuar policinë se ka disa vite që herë-pas-here është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari kosovar. Nuk raportohet për të arrestuar ndërsa rasti është në hetime.
Edhe në Viti është arrestuar një person i cili pas një mosmarrëveshje e ka sulmuar fizikisht djalin e tij. Policia njofton se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.