Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka të vështirë t’ia qëllojë numrit të saktë të komunave të Kosovës që aktualisht janë pa noterë.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, është miratuar nisma legjislative për ndryshim-plotësim e Ligjit për noterinë. Kryeministri Kurti ka vlerësuar se amandamentet janë të nevojshme, ndërsa ministrja Haxhiu tha se nëntë komuna janë pa noterë,
“Janë më shumë se nëntë komuna që nuk kanë noter. Në këto rrethana, ligji e parasheh që ministri i Drejtësisë të caktojë një noter në një komunë përkatëse”, tha Haxhiu.
Por, krejtësisht ndryshe është thënë në një përgjigjie të para disa javëve për lajmi.net nga Ministria të cilën Haxhiu e drejton. Nga Zyra për Media e kësaj ministrie, thuhet se aktualisht janë 15 komuna pa noterë.
Që nga shkurti i vitit 2020, Kamenica, Obiliqi, Mamusha, Malisheva, Kllokoti, Istogu, Rahoveci, Parteshi, Ranilluku, Juniku, Leposaviqi, Zveçani, Zubin Potoku, Hani i Elezit dhe Skenderaj janë pa noterë dhe funksionojnë me persona të autorizuar për kryerjen e shërbimeve të noterisë.
Çka është edhe më interesante lidhur me këtë është fakti që edhe këshilltari i lartë i ministres Haxhiu, Genc Nimoni “për pak” sa nuk ia kishte qëlluar numrit të komunave pa noterë, kur kishte deklaruar se “janë DIKU 11 komuna” pa noterë.
“Në bazë të informacioneve që kemi janë diku 11 komuna pa noterë, mirëpo ne po shikojmë edhe mundësinë e zëvendësimit e transferimit për aq sa e lejon legjislacioni në fuqi dhe do të veprojmë kështu derisa të kemi noterë të rinj të licencuar”, theksoi ai.
Për më tepër, vendimi që ka lënë pa noterë të gjitha këto komuna ka qenë anulimi i konkursit për noterë nga ministrja aktuale e Drejtësisë, Albulena Haxhiu sa ishte ministre e po të njëjtit dikaster në qeverinë Kurti 1.
Edhe më tej, vendimi i saj për anulimin e konkursit ishte kundërshtuar nga Gjykata Themelore.
Por, si ka ndodhur rasti?
Në shkurt të vitit 2020, përgjatë qeverisë Kurti I, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu kishte marrë vendim për anulimin e konkursit për noterë në Kosovë, ani pse, ishte bërë edhe përzgjedhja e tyre.
Pas këtij vendimi të Haxhiut, kanditatët e përzgjedhur për noterë kishin paditur Ministrinë e Drejtësisë me pretendimet se konkursi është anuluar jashtëligjshëm dhe Gjykata Themelore në Prishtinë ka dhënë një vendim në favor të tyre, duke konsideruar kështu, se anulimi i konkursit ishte vendim jo i drejtë.
Në mars të këtij viti, Departamenti për Çështje Administrative kishte anuluar vendimin e Ministrisë së Drejtësisë (MD), me të cilin ishte anuluar konkursi për noterë. Kjo pasi që Gjykata ka aprovuar padinë e 44 kandidatëve për noterë të ushtruar ndaj këtij vendimi.
Gjykata ka vërtetuar provimin e noterisë me arsyetimin se nuk ka gjetur prova se e paditura, qoftë në procedurë administrative ose edhe para gjykatës ka vërtetuar se Komisioni për Dhënien e Provimit për Noterinë ka cenuar parimin e ligjshmërisë.
“Kjo për faktin se me asnjë provë nuk është vërtetuar se ky komision ka tejkaluar kufijtë e përcaktuar me ligjin, nuk është vërtetuar se me zgjedhjen e këtij komisioni nuk është arritur qëllimi sipas ligjit dhe në përputhje me parimin e proporcionalitetit dhe se zgjedhja e tij nuk është vërtetuar se ka qenë në kundërshtim më normat e gjithë pranuara të shkencës apo teknikës dhe nuk ka shkelur parimet themelore të drejtësisë apo arsyes njerëzore”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
E ky vendim i Haxhiut, kishte lënë pa noterë 15 komuna të Kosovës për më shumë se dy vite. Që nga shkurti i vitit 2020, Kamenica, Obiliqi, Mamusha, Malisheva, Kllokoti, Istogu, Rahoveci, Parteshi, Ranilluku, Juniku, Leposaviqi, Zveçani, Zubin Potoku, Hani i Elezit dhe Skenderaj janë pa noterë.
Kjo sipas përgjigjeve të Ministrisë së Drejtësisë për lajmi.net, të cilët thonë se për këto komuna kanë autorizuar 16 noterë të ofrojnë shërbime noteriale.
Por, vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Ministria e Drejtësisë iu është përgjigjur duke thënë se “janë krijuar rrethana të reja” dhe me kaq e kanë arsyetuar paralajmërimin e një konkursi të ri për noterë, pavarësisht atij vendimi.
Shefi i stafit të ministres Haxhiu, Genc Nimoni ka deklaruar se “vendimet e gjykatës janë të zbatueshme”, por në anën tjetër kanë vendosur që përkundër vendimit të saj, që i favorizon kandidatët e konkursit të kaluar, të paralajmërojnë hapjen e një konkursi të ri për noterë.
Ndërkohë nga kjo ministri janë shprehur të gatshëm që pas konsultimit me ekspertë, me gjasë të ketë konkurs të ri për noterë, pavarësisht që s’po ia qëllojnë sa komuna janë pa noterë.