Kurti takohet me delegacionin nga Iowa, i falënderon për mikpritjen gjatë vizitës zyrtare atje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim delegacionin nga shteti i Iowa-s që po qëndron në Kosovë, i përbërë nga profesionistë të fushave të ndryshme, ushtarakë, akademikë e gazetarë.

Kurti ka shprehur mirënjohjen për partneritetin e fortë dhe marrëdhëniet speciale ndërmjet Kosovës dhe shtetit të Iowa-s, të cilët i ka falënderuar për mikpritjen gjatë vizitës zyrtare atje.

“U theksua potenciali për rritje të bashkëpunimit dhe u bisedua për krijimin e mundësive të reja për rritjen e investimeve në sektorin e energjisë, ekonomi, tregti dhe teknologji të informacionit, si dhe për promovimin e vlerave të përbashkëta. U vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm ushtarak dhe ai në fushën civile, ndërsa u veçua bashkëpunimi ndërmjet universiteteve të të dyja vendeve. Në emër të delegacionit të Iowa-s, ish gjenerali Orr u falënderua për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës për këtë partneritet”, thuhet në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit.

Gjithashtu në takimin e përbashkët me zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi dhe shefin e Misionit në Konsullatën e Iowa-s, Artan Duraku, u theksua gatishmëria e Qeverisë së Kosovës për të zgjeruar bashkëpunimin dhe forcuar partneritetin në të gjitha fushat zhvillimore.