Në 246 vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kthyer fokusin në zhvillimet në Ukrainë, duke thënë se duhet punuar për sigurimin e demokracisë për popullin ukrainas.
Përmes një shkrimi të gjatë në facebook, Kurti tha se Putini është përgatitur për një luftë të gjatë ndaj Ukrainës, duke tentuar t’u shkaktojë vuajtje edhe shteteve evropiane që janë të varura nga gazi rus.
“Putini është përgatitur për një luftë të gjatë shkatërruese ndaj Ukrainës dhe po llogarit në një dimër të ashpër për t’iu shkaktuar vuajtje maksimale shteteve evropiane të varura prej gazit rus. Për këto arsye, mes të tjerash, rezistenca efikase ndaj agresionit të Putinit do të kërkojë më shumë sakrificë se kurrë nga demokracitë e botës”, shkroi ai.
Kurti shtoi se duhet dëshmuar botës se vendosmëria e qeverisjes së popullit “nuk do të zhduket nga toka”, duke thënë se demokracia nuk e mbron vetveten.
“Këtë 4 korrik, pra, kur po e festojmë demokracinë, le të kujtojmë, bashkë me Lincolnin (ish-presidenti i SHBA-së v.j), se demokracia nuk e mbron vetveten; përkundrazi, ne popujt e botës demokratike duhet ta mbrojmë”, shkroi Kurti.
Sipas Kurtit, përpjekjet e presidentit të ShBA-së, Joe Biden, për t’i promovuar vlerat demokratike, mund të kuptohen si përpjekje për të ruajtur paqen ndërmjet kombeve.