Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, e ka përjetuar rënd vdekjen e regjisores Vjosa Berisha e cila njihej si një adhuruese e madhe e kombëtares sonë në futboll, shkruan Demokracia.com.
Ajo shpesh ishte në tribuna në mbështetje të dardanëve në fushë, derisa sot u dha lajmi për vdekjen e saj pas një beteje me një sëmundje të rëndë.
Numri një i FFK-së, Agim Ademi është ndjer i trishtuar me lajmin për vdekjen e saj derisa e ka cilësuar atë si një grua të fortë dhe profesionale.
“Vjosa ishte shumë e afërt edhe me futbollin dhe njëra nga anëtaret e para të tifozëve të Kombëtares së Kosovës – Dardanët, e që me idetë e saja kontribuoi për koreografitë e ndryshme, si dhe tërhoqi edhe shumë vajza e gra në stadium që t’i japin mbështetje Kombëtares tonë”, ka shkruar Ademi ndër të tjera.
Postimi i plotë i Agim Ademit:
I trishtë lajmi për ndarjen e hershme nga jeta të regjisores së njohur, Vjosa Berisha.
Ajo ishte shembulli më i mirë i një gruaje të fortë, të suksesshme e shumë profesionale.
Vjosa ishte shumë e afërt edhe me futbollin dhe njëra nga anëtaret e para të tifozëve të Kombëtares së Kosovës – Dardanët, e që me idetë e saja kontribuoi për koreografitë e ndryshme, si dhe tërhoqi edhe shumë vajza e gra në stadium që t’i japin mbështetje Kombëtares tonë.
Vjosa ishte përplot energji për jetën, teksa dha kontribut të jashtëzakonshëm për vendin nëpërmjet aktiviteteve të shumta të kulturës, artit dhe filmit, prandaj kontributi i saj do të jetë gjithmonë i paharrueshëm.
I shpreh ngushëllimet më të sinqerta mikut tim, Fatos Berisha, familjeve Berisha e Istrefi, shoqërisë, Dardanëve dhe tërë komunitetit artistik për këtë humbje të madhe.
I përjetshëm kujtimi për Vjosën!.