Kurti i rezervuar për heqjen e vizave: S’mund të jap data, s’varet nga ne

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, kritere për të cilat, kryeministri tha se kanë qenë dyfish më shumë se sa vendet e rajonit.

Ai ka shtuar, se në muajin e ardhshëm bëhen katër vite që prej kur Komisioni Evropian ka rekomanduar për herë të dytë, liberalizimin e vizave për Kosovën.

Tutje ai shtoi se, ai nuk mund të flas në emër të Bashkimit Evropian për datën se kur mund të ndodh liberalizimi i vizave pasi që kjo nuk varet prej Kosovës.

“Ne moti i kemi plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave. 95 sosh, që është më shumë se dyfishi i shteteve të tjera të rajonit, sa i përket numrit të kritereve. Në muajin e ardhshëm bëhen 4 vjet prej se Komisioni Evropian ka rekomanduar për herë të dytë liberalizimin. Nuk mund të flas me data se kur liberalizohen vizat, sepse nuk është çështje e jona. Ne po i bëjmë detyrat e shtëpisë e shpresojmë në më të mirën. Unë s’kam dhënë data për liberalizmin e vizave sepse nuk varet prej neve”, ka thënë Kurti.