Presidenti Agim Ademi ka pritur sot në takim futbollisten Xhemile Berisha, ish-anëtare e Kombëtares së Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo e fundit me përfundimin e këtij edicioni në Ligën e Parë ka vendosur që të tërhiqet nga futbolli aktiv, duke lënë pas vetës një karrierë të bujshme e të suksesshme prej gati dy dekadash në futbollin e femrave. Xhuli karrierën e mbylli aty edhe ku e kishte nisur, në skuadrën Kosova VR. Presidenti Ademi e përgëzoi futbollisten me përvojë për kontributin e dhënë në zhvillimin dhe masovizimin e futbollit tek vajzat, derisa e vlerësoi përkushtimin e saj të deritashëm si lojtare aktive, duke e inkurajuar që në të ardhmen të vazhdojë të punojë në zbulimin dhe rritjen e talenteve të reja që do t’i shërbejnë ngritjes së mëtejme të futbollit të vajzave në Kosovë. Ndërkaq, Xhemile Berisha e falënderoi kreun e FFK-së për mbështetjen e madhe që i ka dhënë futbollit të femrave, por edhe asaj personalisht që nga ditët e para. Ajo theksoi se futbolli i dha shumë emocione e kënaqësi gjatë karrierës, por edhe vlera sportive e jetësore. Gjatë karrierës së saj, Xhuli ka fituar 13 tituj kampioni dhe 12 kupa. Krahas fanellës së Kosovës VR, ajo barti edhe fanellat e KFF Shqiponjat (Shkup), FC Villastaden (Suedi), KF Tirana As, KF Ada (Velipojë), KFF Vllaznia ( Shkodër), KFF Hajvalia dhe KFF Mitrovica.