U mbajt turneu kushtuar Burim Hatipit

Presidenti Agim Ademi së bashku me anëtarin e KE të FFK-së, Sylejman Selimi, kanë marrë pjesë në hapjen e turneut tradicional në futboll të vogël kushtuar ish-futbollistit dhe gazetarit sportiv, Burim Hatipi, e ku morën pjesë edhe kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. Ky turne u zhvillua sot në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë organizuar nga Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës në bashkëpunim me FFK-në, me pjesëmarrjen e katër ekipeve: Gazetarët Sportivë, FC Prishtina (veteranët), Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Kuvendi Komunal i Prishtinës. Gjatë fjalës së tij të rastit, presidenti Ademi e vlerësoi Burim Hatipin si ikonë dhe mjeshtër të gazetarisë sportive, por edhe si futbollist që la gjurmë të pashlyeshme në KF Prishtina. Po ashtu, në emër të FFK-së, ai, djalit të të ndjerit, Vërshimit ia ndau edhe një plaketë si shenjë mirënjohje për kontributin dhe vlerat e larta intelektuale që Burim Hatipi i ka shfaqur në futboll dhe në gazetarinë sportive. Fitues i turneut doli ekipi i veteranëve të FC Prishtina, që në finale e mundi ekipin e KOK-ut, me rezultat 6:2. Lojtari më i mirë i turneut u shpall Azem Ahmeti, derisa golashënuesi më i mirë ishte Suad Keçi.