​OEK: Rritja e çmimeve goditje edhe për ekonominë e vendit tonë

Rritja enorme e çmimeve për çdo sektorë është një goditje tjetër për ekonominë e Kosovës pas asaj të shkaktuar nga pandemia COVID-19. Kjo krizë e shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë, pritet të ketë ndikime negative në ekonominë e vendit tonë për këtë vit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se parashikimet e normës së zhvillimit ekonomik për vendin që janë bërë nga institucione ndërkombëtare financiare si FMN dhe Banka Botërore, janë reale.

Megjithatë Rukiqi thotë se këto vlerësime mes 3 dhe 4 përqind të rritjes ekonomike, janë edhe një mesazh për Qeverinë e Kosovës.

“Ka vlerësime nga 2.5 prej Fondit Monetar, 3 deri 4 nga Banka Botërore, Instituti Ekonomik i Vjenës është aty afër me vlerësimet e Bankës Botërore. Por, besoj që nëse merren parasysh rrethanat është e arritshme dhe njëkohësisht është edhe mesazh që të kemi më shumë aktivitete ose shtim të investimeve kapitale, lehtësira të tjera për biznese, promovim më të madh të eksportit në mënyrë që të amortizohen efektet që po i shkakton rritja e çmimeve”, thotë Rukiqi.

Sa i përket rritjes së pagës minimale në 264 euro bruto, procedurat për të cilin janë në shqyrtim në Kuvendin e Kosovës me rishikimin e një grupi ligjesh të tjera, Rukiqi thekson se është e pranueshme për rrethanat ekonomike që i ka vendi.

“Ne konsiderojmë se paga minimale është e pranueshme për rrethanat ekonomike që i ka vendi. Ka qenë në diskutim për disa vite, këtë vit është miratuar. Ka pasur edhe një konfirmim tonën në Këshillin Ekonomik Social dhe vlerësojmë se nuk është ndonjë pengesë për bizneset që ne i përfaqësojmë”, thekson ai.

Për inflacionin që ka arritur deri në 10 përqind në vend, Rukiqi thotë se është e paprecedent për ekonominë e vendit tonë.

“Inflacioni është paprecedent për ekonominë e vendit tonë, për shkak se është goditje e dyfishtë. Goditja nga pandemia e cila e ka ndikuar fuqinë blerëse për një kohë. Normalisht është goditje tani për shkak të rrethanave nga lufta në Ukrainë, e cila tani po ndikon fuqishëm në mënyrë negative nivelin e çmimeve edhe në Kosovë. Kështu që një pjesë të produkteve ne nuk e importojmë direkt nga Ukraina, por vet tregu është çrregulluar dhe derisa ne i importojmë ato produkte në tregjet e ndryshme, edhe i marrim me çmime më të larta, kjo po ndikon negativisht në ekonominë tonë”, thotë ai.

Kryetari i OEK-ut, Rukiqi ka thënë po ashtu se rritja e çmimeve në sektorin e ndërtimit ka ndikuar edhe në sektorë të tjerë.

“Është pak për shqetësim, për shkak se ne i kemi një situatë që sektori i ndërtimit ndikon në shumë sektorë të tjerë. Dhe kjo do të ndikojë edhe në koston e asaj se çka blihet si patundshmëri, ose çka ndërtohet, mirëpo njëkohësisht ndikon edhe në sektorë të tjerë për shkak se mund të ndikojë në fuqinë blerëse dhe pastaj kjo zbehë performancën e sektorëve të cilët janë të lidhur me ndërtimin ose që janë në zinxhirin e sektorit të ndërtimit”, ka thënë ai.

Sa i përket krizës dhe rritjes së inflacionit në Kosovë, qeveria ka marrë vendim për ndarjen nga 100 eurove për punëtorët në sektorin e privat e publik, për pensionistët dhe studentët. Ndërkaq, 100 eurot nuk janë ndarë ende për punëtorët sektorit privat dhe studentët.