BSPK merr vendim: Më 12 maj fillon greva

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, janë dakorduar që më 12 maj të mbahet greva një orëshe.

Arsyetimi i dhënë nga BSPK ishte se kërkesat e tyre nuk janë plotësuar nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, deklaroi se vendimi ka qenë unik dhe se më 20 maj do të mbahet protestë.

“Sapo përfunduam takimin mbledhjen e BSPK-së dhe është vendosur që krahas që është hapur një tunel i dialogut social me institucionet tona, më datën 12 maj, kemi vendosur që të fillojmë me një grevë një orëshe për gjithë të punësuarit e Kosovës dhe protestë më datën 20 maj”, ka thënë Hykolli.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka njoftuar se pas grevës e protestës, nëse nuk përfillen kërkesat e tyre, do të mbahet grevë e përgjithshme.

“Sindikatat do të shkojnë në grevë të përgjithshme duke e paralizuar edhe sistemin arsimor dhe sektorët tjerë. Po i japim hapësirë dialogut, e ky veprim do të shihet më 12 maj, me grevën një orëshe dhe protestën më 20 maj që besoj se do të jetë madhështore”, ka deklaruar Jasharaj.