Lidhja Demokratike e Kosovës, ka kritikuar ashpër qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, duke thënë kjo e fundit nuk ka respektuar Kushtetutën dhe se ka shfaqur tendenca për të kapur drejtësinë.
Këto kritika, LDK-ja, i ka shfaqur nëpërmjet katër konferencave për medie, të cilat i ka publikuar në një reagim të bërë në Facebook.
“Gjatë javës së kaluar, Lidhja Demokratike e Kosovës nëpërmjet katër konferencave për medie, ka adresuar shqetësimet e veta mbi neglizhencën qeverisëse, mosrespektimin kushtetues, tendencat kapëse të drejtësisë e raportin shqetësues të Departamentit Amerikan te Shtetit”, thuhet në reagim.
Po ashtu, LDK-ja ka adresuar kritika ndaj qeverisë edhe për çështjet e ekonomisë dhe raportin e DASH-it, raportin e së cilës LDK-ja shqetësuese.
Reagimi i LDK-së:
Gjatë javës së kaluar, Lidhja Demokratike e Kosovës nëpërmjet katër konferencave për medie, ka adresuar shqetësimet e veta mbi neglizhencën qeverisëse, mosrespektimin kushtetues, tendencat kapëse të drejtësisë e raportin shqetësues të Departamentit Amerikan te Shtetit.
Arsim – Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci, ka shkelur Kushtetutën e Kosovës. Kanë kaluar një javë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ministrja nuk e ka ofruar dorëheqjen, duke shkaktuar kështu precedent tejet të rrezikshëm për rendin kushtetues.
Ekonomi – Në mungesë të vizionit për zhvillim ekonomik afatgjatë e investime kapitale që sjellin të mira afatgjate, Qeveria u ka shpërndarë qytetarëve lëmoshë, nga 100 euro vetëm për një muaj (prill).
Drejtësi – Qeveria pasi që ka kapur shumicën e institucioneve, ia ka mësyer atyre të pavarura. Nismat e saj legjislative dhe veprimet politike kanë një qëllim; sigurimin e kontrollit politik mbi të gjitha institucionet, edhe ato të pavarura. Kështu duke u shndërruar në një cënuese të demokracisë dhe rendit kushtetues.
DASh – Shqetësuese janë të gjeturat e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut për vitin 2021. Kërcënim e frikësim ndaj gazetarëve e medieve, pandëshkueshmëri të korrupsionit, si dhe ndërhyrjet politike në gjyqësor.