Ministri Latifi nuk e ka as këtë informacion për sektorin që e drejton

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, e ka pyetur ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, lidhur me pritjet e gjata për koronografi, për shkak të siç tha ai, prishjes së nja aparature.

Haxhiu theksoi se lista e pritjes për vendosjen e stendave tani janë të gjata.

E lidhur me këtë, ministri Latifi tha se nuk ka informacione për pritje të gjatë për koronografi.

“Unë nuk kam pasur informata se aparati për koronagrafi nuk është në funksion. Me këtë do të merrem qysh sot”, tha ai.

Më tutje, Latifi tha se nga një hulumtim që kanë bërë në 22 klinika, del se mbi 10 mijë qytetarë janë në pritje për shërbime mjekësore.

“Çështja e listave për pritje për ndërhyrje kirurgjike, diagnostike ose të tjera është një nga simptomat e qarta të ndërtimit të shëndetësisë në Kosovës. Nga një studim që kemi bërë ditëve të fundit na del se në 22 klinika i kemi mbi 10 mijë pacientë në pritje për shërbime të ndryshme. Këtu nuk po e shtojmë numrin e pacientëve që po kërkojnë ndihmë jashtë vendit”, deklaroi ministri.