Kreu i FFK-së zhvilloi takim të frytshëm me drejtuesit e Federatës së Kuvajtit

Presidenti Agim Ademi gjatë qëndrimit në Doha të Katarit e ka zhvilluar një takim tejet përmbajtësor dhe të frytshëm me delegacionin e Federatës së Futbollit të Kuvajtit, nënkryetarin Ahmad Oqiah Maran Al Enezi dhe sekretarin e përgjithshëm, Salah Eissa Al Qenaei.

Kreu i FFK-së i njoftoi drejtuesit e futbollit të Kuvajtit me rrjedhat e futbollit kosovar ndër vite, si dhe nevojën për partneritet dhe për krijimin e urave të miqësisë si njëra nga anëtaret më të reja të FIFA-s.

Palët u dakorduan për një bashkëpunim të sinqertë në të gjitha fushat. Delegacioni i Kuvajtit shprehu gatishmërinë për ta ndihmuar Kosovën sidomos në aspektin e infrastrukturës në futboll dhe i bëri ftesë presidentit Ademi për ta vizituar Kuvajtin dhe për ta nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit.

Ademi e pranoi me kënaqësi këtë ftesë dhe shumë shpejt së bashku me një delegacion më të zgjeruar të FFK-së do ta realizojë vizitën në Federatën e Kuvajtit.