Presidenti Ademi takon presidentin e ri të DFB-së

Presidenti Agim Ademi, i cili po qëndron në Doha të Katarit, sot është takuar me presidentin e ri të Federatës së Futbollit të Gjermanisë (DFB), Bernd Neuendorf.

Gjatë këtij takimi Ademi e ka uruar z. Neuendorf për zgjedhjen e tij në krye të DFB-së, duke i dëshiruar suksese në drejtimin e futbollit gjerman. Kreu i FFK-së e ka njoftuar z. Neuendorf mbi zhvillimet në futbollin e Kosovës dhe përparimin që është bërë në çdo segment pas anëtarësimit në UEFA e FIFA.

Po ashtu, presidenti Ademi e informoi homologun e tij gjerman edhe mbi bashkëpunimin e ngushtë që FFK ka pasur në vazhdimësi me DFB-në.

Z.Neuendorf shprehu gatishmërinë që të ndihmojë një vend të vogël si Kosova, veçmas në edukimin e kuadrove të reja, por edhe në futbollin e të rinjve dhe vajzave, pasi Kosova ka talente të shumta në futboll.

Të dy presidentët u dakorduan që në të ardhmen të thellohet edhe më shumë bashkëpunimi ndërmjet dy federatave.