Presidenti Agim Ademi ka zhvilluar sot takim me ekipin e kompletuar të kombëtares, ku para lojtarëve e ka bërë prezantimin e përzgjedhësit të ri, Alain Giresse dhe stafit të tij. Me këtë rast, Ademi u ka shprehur futbollistëve përkushtimin e tij dhe të KE të FFK-së për kushte sa më të mira për ekipin, teksa ka kërkuar edhe përkushtimin e tyre për t’u rikthyer në rrugën e sukseseve.
“Po takohemi sërish pas disa muajve, por me një frymë të re në ekipin kombëtar dhe me përzgjedhës të ri. Jam i lumtur që jeni në formë jashtëzakonisht të mirë në klubet tuaja dhe uroj të ju përcjellë shëndeti edhe në të ardhmen. Tani do të krijojmë një filozofi të re me ekipin e ri të trajnerëve. Kam kënaqësinë t’ua prezantoj përzgjedhësin e ri, Alain Giresse, që është një prej legjendave të futbollit francez. Ai ka fituar shumë tituj si lojtar dhe shpresojmë se tani do të ketë rrugëtim të suksesshëm edhe si trajner me kombëtaren tonë. Ai i ka të gjitha kushtet e nevojshme dhe e ka kualitetin tuaj që është në ngritje e sipër për të arritur sukseset që i presim të gjithë. E kemi ndjenjën se ka ardhur momenti të shpërthejmë sërish, sepse performancat e tuaja në klube janë të shkëlqyeshme”, ka theksuar presidenti Ademi.
Ai ka thënë se Kosova është treguar storie suksesi në vitet e kaluara dhe tani është koha për të arritur një nivel tjetër.
“Ju e dini se sa shumë kënaqësi i kemi dhuruar popullit tonë me serinë e rezultateve pozitive dhe besoj fuqishëm se kështu do të vazhdojmë edhe në ciklin e ri të Ligës së Kombeve. Ne, si FFK, do të jemi në ngritje e sipër me të gjitha organizimet tona. Do të vazhdojmë t’i përmirësojmë edhe më tej kushtet për ju, në mënyrë që të jeni sa më komod në punën tuaj. Kërkoj përkushtim maksimal, gjë e cila nuk ka munguar as në të kaluarën dhe ta realizoni atë që e kërkon trajneri. Forma juaj na jep shpresa të mëdha se suksesi është i arritshëm”, është shprehur Ademi. Dardanët sot e mbajnë stërvitjen të kompeltuar në Kampin Nacional në Hajvali në orën 16:00.