Mustafa i drejtohet Qeverisë: Nuk është roli juaj ta disiplinoni Putinin, bëni zgjidhje për çmimet

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka kërkuar zgjidhje urgjente nga ana e Qeverisë së Kosovës për çështjen e rritjes së çmimeve të produkteve bazë dhe derivateve të naftës.

Mustafa këtë kërkesë e ka parashtruar përmes një postimi në llogarinë zyrtare të tij në ‘Facebook’, ka thënë se opozita e heshtur është një plus më shumë për Qeverinë drejt zgjidhjes së problemeve, shkruan lajmi.net.

“Çmimin e energjisë, të vajit, të derivateve të naftës, e shumë tjera, nuk i ngritën qeveritë e kaluara. Kjo opozitë nuk po e gjuan Qeverinë me shishe molotovi, me granata, me bomba, gaz lotsjellës, gurë.. Përpos një partie parlamentare e njërës jashtë parlamentit, opozita tjetër s po ua prishë terezinë. Prandaj Qeveria s’ka arsye të vajtojë por duhet të ngjeshët dhe të tregojë lidership. Sepse, qeverisja në kohë të rëndomta ec vet, e në kohë të vështira tregon lidership. Dije, organizim, drejtim”, ka shkruar ai.

Mustafa më tej ka thënë se, “nuk është roli i Qevesë për ta edukuar dhe disiplinuar Putinin”, duke thënë se po mbjell edhe tmerr tek qytetarët për çështjen e cënimit të sigurisë kombëtare.

Postimi i plotë:

Qeveria do duhej të kërkojë dhe të gjejë zgjidhje në këtë periudhë të ndërlikuar sociale por edhe politike. Më së paku i takon të humbë kohë me arsyetime dhe me fajësime të të tjerëve.

Çmimin e energjisë, të vajit, të derivateve të naftës, e shumë tjera, nuk i ngritën qeveritë e kaluara. Kjo opozitë nuk po e gjuan Qeverinë me shishe molotovi, me granata, me bomba, gaz lotsjellës, gurë.. Përpos një partie parlamentare e njërës jashtë parlamentit, opozita tjetër s po ua prishë terezinë. Prandaj Qeveria s’ka arsye të vajtojë por duhet të ngjeshët dhe të tregojë lidership. Sepse, qeverisja në kohë të rëndomta ec vet, e në kohë të vështira tregon lidership. Dije, organizim, drejtim.

Nuk është roli i Qeverisë tonë për ta edukuar dhe disiplinuar Putinin as për të bërë luftën në Ukrainë. Atje po lufton një popull i tërë me përkrahje të drejtë dhe solidarizim nga e gjithë bota. Ka edhe solidarizimin tonë.

Nuk është roli i institucioneve të Kosovës, poashtu, të tmerrojë qytetarët çdo mëngjes se po na sulmon Serbia. Sepse, njerëzit shqetësohen, frikësohen; spekulantët i rrisin çmimet, kurse qentë e luftës kërkojnë hapësirë për të profituar. Në fund mbesin qytetarët që ju votuan, ata që e paguajnë çmimin e frustrimeve të pamenaxhueshme.