Agjencia për Barazi Gjinore ka organizuar ngjarjen me temën ““Zhbëjmë paragjykimet, punojmë për gjithëpërfshirjen”, me rastin e Ditës së Gruas.
Me këtë rast është theksuar se synim mbetet inkuadrimi i grave e vajzave të reja në arsim, drejtësi, në ekonomi, politikbërje e në procese kyçe.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, uroi që në 365 ditët në vijim fjalët grua dhe vajzë të vazhdojnë të jenë sinonim i triumfit, suksesit, ngadhënjimit e inspirimit.
“Uroj që në vitin që pason vajzat e gratë tona të ndihen të sigurta në shtëpi, në rrugë e në çdo vend publik. Uroj për qasje të barabartë për vajzat dhe gratë në arsim, drejtësi, në ekonomi, në politik bërje e në proceset kyçe vendimmarrëse në trashëgimi”, deklaroi presidentja Osmani.
Ajo poashtu tha se mund të arrihet siguri e stabilitet vetëm atëherë kur do të promovojmë e mbrojmë të drejtat e grave dhe vajzave.
“Duhet të bashkoheni që të gjithë burra e djem, të rinj e të moshuar që t’i japim frymë barazisë gjinore në shtëpi në rrugë në komunitet e kudo tjetër”, tha tutje ajo.
Edi Gusia, kryeshefe ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, duke përmendur luftën në Ukrainë, tha se janë qindra gra, burra e fëmijë që po e përjetojnë luftën.