Dua Lipa po vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së mediave më të fuqishme botërore.
Këngëtarja kosovare ka dhënë së fundmi një intervistë për prestigjiozen “Financial Times”, ku ka shpalosur ndër të tjera shumë detaje rreth jetës së saj private dhe profesionale.
Dua është pyetur se ku i pëlqen të kalojë kohë dhe ajo nuk ka ngurruar të pëmend jugun e Shqipërisë, vend ky në të cilin ajo verën e kaluar ka kaluar disa ditë pushime me familjarë dhe miq.
“Një vend ku mezi pres të kthehem është Jugu i Shqipërisë. Isha për dy javë verën e kaluar dhe bukuria atje është e pakrahasueshme. Uji është i njëjtë me Greqinë, dhe ushqimi është i mahnitshëm. Po përpiqem të bëj sa më shumë njerëz të shkojnë në Shqipëri dhe Kosovë: dua të ndryshoj këndvështrimin e tyre se si janë këto vende”, ka thënë ndër të tjera Dua.
Këngëtarja 26-vjeçare ka folur edhe rreth hobeve që ka, duke thënë se është një koleksioniste e madhe e filxhanëve të çajit.
“E kam një koleksion të madh të krikllave. Kohët e fundit isha në një aeroport në Helsinki ku ka një dyqan Moomin plot me gota, dhe u ndjeva sikur kisha nevojë për secilën prej tyre. Më kujtohet se kam blerë një të tillë në udhëtimin tim të parë në Stokholm. Më pëlqen një filxhan me përmasa shumë të mëdha, sepse më pëlqen çaji im”, ka thënë ajo.
Fituesja e trefishtë e çmimit “Grammy” ka folur edhe rreth preferencave të saj në ushqim. Ajo ka thënë se në frigoriferin e saj mund të gjendet një koleksion i gjerë salcash të nxehta, derisa ka folur edhe për produktin që konsumohet shumë nga shqiptarët, ajvarin, për të cilin ka thënë se është shumë i shijshëm.
“Në frigoriferin tim, do të gjeni një koleksion të gjerë salcash të nxehta. Unë jam shumë e mirë për erëza në përgjithësi: dua të kem gjithçka, nga majonezë vegan, majonezë normal e deri te salca me nenexhik. Në thelb, unë jam një “vajzë e guximshme”. Dhe pastaj është një pastë specash ballkanike e quajtur Ajvar, e bërë nga speca të copëtuar, e cila është gjithashtu e shijshme. Unë kam gjithmonë speca pikantë dhe djathë feta, sepse të përziera, në bukë të thekur, krijon një mëngjes ekstravagant, por të këndshëm. Oh, dhe ëmbëlsirat me limon. Në thelb, të gjitha janë gjëra argëtuese në frigoriferin tim”, është shprehur ajo.