Javën që po lëmë pas Kosova shënoi 14 vjetorin e Pavarësisë. Në këtë përvjetor festa e pavarësisë filloi në orët e mëngjesit me ngritjen e flamurit shtetëror, u mbajt seancë solemne e parakaluan Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës.
Me rastin e 14 vjetorin të pavarësisë, presidenti amerikan Joe Biden uroi qytetarët e Kosovës, ndërkaq tha se do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën në përpjekjet për një marrëveshje me Serbinë që përfundon me njohje reciproke.
Po gjatë javës që po lëmë pas ka qarkulluar në media një draftligj për pagat, e që ka nxitur reagimin e sindikatave dhe partive opozitare.
Ministri i Punëve të Brendshme, ka mohuar se ekziston drafti final i Ligjit të Pagave, pjesë të së cilit janë publikuar në disa media. Sipas të parit të MPB-së, lajme të tilla kanë qëllime të këqija.
Republika e Kosovës më 17 shkurt 2022 mbushi plotë katërmbëdhjetë vjet shtetësi.
Në këtë 14-vjetor si gjithmonë Kosovës nuk i mungoi kënga e vallja nëpër të gjitha qytetet, e megjithatë zyrtarisht me ceremoninë e ngritjes së flamurit shtetëror në prani të krerëve të shtetit, festa u hap qysh herët në mëngjes.
Parakalimi i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe i Policisë së Kosovës në sheshet kryesore të kryeqytetit u ndoqën me entuziazëm të madh nga qytetarët.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti uruan qytetarët e Kosovës në këtë përvjetor, teksa vazhduan agjendën për të vendosur kurora lulesh në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Po ashtu, gjatë ditës së pavarësisë është mbajtur edhe seanca solemne e Kuvendit të Kosovës, e cila nuk kaloi pa të papritura.
Deputetët e opozitës gjatë kësaj seance lëshuan sallën, teksa në foltore po mbante fjalim kryeministri Kurti.
Biden: Mbështesim përpjekjet e Kosovës për një marrëveshje për njohje reciproke me Serbinë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden i ka shkruar letër urimi presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, duke vlerësuar lartë të arriturat e Kosovës. Veç tjerash ai ka thënë se Kosova ka vend të veçantë në zemrën e familjes së tij.
Në letrën e urimit, dërguar presidentes Osmani, Biden po ashtu ka bërë të ditur se janë të kënaqur që Kosova po ndërton dhe forcon marrëdhëniet pozitive me fqinjët.
Biden ka thënë se do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën në përpjekjet për një marrëveshje me Serbinë që përfundon me njohje reciproke.
“Jemi të kënaqur që Kosova po vazhdon të ndërtojë dhe forcojë marrëdhëniet e saj pozitive me vendet fqinje dhe do të vazhdojmë ta mbështesim përpjekjet tuaja drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke”, thekson në letër Biden.
Presidenti amerikan ka theksuar po ashtu që Kosova ka dëshmuar lidership në skenën ndërkombëtare.
“Vitin e kaluar, Kosova vazhdimisht demonstroi lidership në skenën ndërkombëtare. Nga ofrimi i strehimit të sigurt për të pambrojturit deri te forcimi i sigurisë globale dhe bashkëvendosja përkrahë ushtrisë amerikane në Kuvajt, populli I Kosovës i ka dëshmuar botës trimërinë dhe bujarinë e tij”, shkruan tutje Biden.
Në fund ai po ashtu ka theksuar se në zemrat e familjes së tij, Kosova ka një vend të veçantë.
Po ashtu, ka falënderuar për medaljen presidenciale të ndarë post-mortem për djalin e tij, Beau vitin e kaluar.
Drafti i Ligjit të Pagave, paralajmërohen veprime sindikale
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Sindikata e Administratës Publike dhe ajo e Policisë janë shprehur të pakënaqur ndaj versionit të draft Ligjit për Pagat i cili u publikua ditë më parë nga disa medie.
Nga SBASHK-u kanë njoftuar se javën që vjen do të mblidhen dhe do të diskutojnë për situatën aktuale dhe për t’i koordinuar aktivitetet dhe veprimet sindikale.