Termocentrali më i madh i Australisë do të mbyllet më 2025

Termocentrali më i madh me thëngjill në Australi, do të mbyllet shtatë vjet më herët sesa është planifikuar, ka thënë kompania që menaxhon atë, Origin Energy, duke deklaruar se nuk ka kapacitete për të garuar me “fluksin e burimeve të ripërtrishme”.

Termocentrali me kapacitet 2.88 gigavat gjendet afër Sidnejt.

Ai do të mbyllet më 2025 dhe do të zëvendësohet nga një bateri e madhe.

Ky termocentral i bashkohet një liste të gjatë të objekteve të tilla që mbyllen teksa rritet kërkesa për energji të erës dhe atë solare.

“Tregu i energjisë në Australi sot është shumë më ndryshe prej atij që ishte në fillim të viteve 1980”, ka thënë Frank Calabria, shefi ekzekutiv i kompanisë Origin.

Varësia e Australisë ndaj termocentraleve me thëngjill ka rënë në vjetët e fundit.

Megjithatë, thëngjilli është ende furnizues i 60 për qind të energjisë në këtë shtet, duke e bërë Australinë një nga vendet me emetimin më të madh të karbonit për kokë banori.

Burimet e ripërtrishme përbëjnë rreth një të tretën e prodhimit të energjisë në Australi dhe kjo shifër parashihet të shkojë në deri 70 për qind deri në fund të dekadës.