Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka uruar 14 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës me një video mjaft emocionale, ku përfshihen proceset dhe personazhet historike të çlirimit dhe pavarësimit të shtetit të Kosovës, nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Komandanti Legjendar Adem Jashari, nënshkrimi i Marrëveshjes së Rambujesë dhe shpallja e Pavarësisë së Kosovës.
Në videon e publikuar nga Krasniqi, janë spikatur deklaratat e liderëve historikë të PDK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.
Në një paraqitje publike më 1999, Kadri Veseli atëherë udhëheqës i Shërbimit Informativ të Kosovës thoshte: “Kemi një qëllim të vetëm, pavarësinë e Republikës së Kosovës.”
Tutje, shfaqet momenti i Deklaratës së Hashim Thaçit në vitin 2008: “Shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik”.
Lideri i PDK-së, Memli Krasniqi përmes videos ka rikujtuar mesazhet e Veselit dhe Thaçit se bashkë e kemi ndërtuar shtetin dhe historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet nga askush,
“Duke qenë bashkë ia kemi dalë të realizojmë atë që dukej e pamundur, lirinë dhe shtetin e Kosovës. Ëndrrën shekullore të krejt angazhimit tonë historik që duhet t’ia njohim peshën.”, kishte thënë Kadri Veseli si kryetar i PDK-së.
“Historia e lavdishme e luftës çlirimtare dhe shtetformimit të Kosovës së pavarur, demokratike dhe europiane nuk mund të rishkruhet nga askush.”, ishte mesazhi i Hashim Thaçit si President i Kosovës.