Deputetja më e re që nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë: Emocion i jashtëzakonshëm

Emocion i jashtëzakonshëm dhe dridhje të duarve përjetoi deputetja më e re që nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë në vitin 2008, Njomza Emini.

Emini, asokohe vetëm 24 vjeç, ka thënë se edhe sot emocionet vazhdojnë të mbesin të njëjta pasi kemi institucione të lira. Megjithatë, sipas saj, kjo ditë është edhe për reflektim që të punojmë edhe më shumë për përmirësimin e jetesës në vend.

“Çdo vit është një emocion i papërshkrueshëm, por po mundohem ta ndaj këtë emocion. Nuk ka më mirë se me pa shtetin tënd të lirë. E kemi ëndërruar, nuk e kemi besuar. Kemi pas fatin që të jemi deputet asokohe. Deri vonë ne nuk e kemi ditur se kur do të shpallet Pavarësia, për shkak të bashkësisë ndërkombëtare. Ka qenë nder, krenari dhe përgjegjësi e madhe. Unë kam qëndruar më së gjati para atij dokumenti kur e kam nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë, pasi kisha shumë emocione, dridhje të duarve. I jam falënderues qytetarëve që për dy mandate më kanë besuar, por edhe familjarët që më kanë mbështetur. Nuk është vetëm privilegj, por edhe përgjegjësi e madhe karshi qytetarëve. Pavarësisht se ky është 14-vjetori i Pavarësisë, emocioni vazhdon të mbetet i njëjtë. Gjithë dëshmorët e rënë dhe gjithë ata që nuk e gëzojnë lirinë, familjarët e tyre janë krenar që sot kemi institucione të lira. Kjo është ditë edhe për reflektim, që të punojmë për ta bërë sa më mirë jetesën në vendin tonë”, ka thënë Emini në emisionin “SOT” të KTV-së.