Mungesa e konsensusit pamundëson implementimin e agjendës legjislative-Opozita me kritika për mazhorancën

Mungesa e konsensusit politik ka pamundësuar dërgimin përpara të agjendës legjislative. Për këtë, opozita fajëson qasjen e mazhorancës, për të cilën thonë se ka treguar një mos gatishmëri të punës së kuvendit.

Ndonëse nuk i kanë numrat në Kuvend, opozita shprehet e gatshme të dërgojë projektligjet për t’u votuar, të cilat i konsideron si të rëndësishme për qytetarët.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, thotë për Ekonomia Online se e gjitha kjo po ndodhë për shkak të mos gatishmërisë së mazhorancës për të dërguar ligjet përpara.

“Ne kemi iniciuar ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar. Besoj që duhet të bëhet një punë jashtëzakonisht e madhe në lehtësim të barrës së bizneseve dhe besoj se në seancat e radhës do ti vije koha për diskutim parlamentar. Ne si parti opozitare kemi treguar përgjegjësi të lartë. Në anën tjetër mazhoranca me gjithë këta numra që i ka, ka treguar një mos gatishmëri të punës së kuvendit. Ju e dini që shumë ligje që kanë qenë të parapara në agjendën legjislative nuk kanë ardhur në kuvend dhe nuk janë miratuar por që kanë kaluar 50 ligje pa u diskutuar mirë. Opozita nuk i ka numrat për t’i shtyrë ligjet përpara. Kjo varet prej komisioneve. Prandaj mendoj që mos efikasiteti i duhur i komisioneve nuk mund t’i atribuohet opozitës sepse nuk i kemi numrat për t’i shtyrë çështjet përpara”, tha Tahiri.

Njëjtë mendon edhe shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri. Ai , ka thënë se puna e Kuvendit ka qenë shumë e dobët në vitin 2021, duke shtuar se tendenca e qeverisë së tanishme është kapja e çdo institucioni.

“Puna e kuvendit në vitin 2021 ka qenë shumë e dobët. Ka qenë një ndër legjislaturat më të dobëta. Si AAK ne jemi të vetëdijshëm për rolin tonë dhe do të marrim pjesë në votime për ligje që janë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës. Ndërsa do të ballafaqojmë Qeverinë e cila është shumë e dobët që përveç tendencës për të kapur çdo institucion nuk ka arritur asnjë punë, dhe qeveria Kurti është qeveria më e dështuar prej të gjitha qeverive të deritanishme”, tha Tahiri.