Liberalizimi i vizave dhe dialogu Kosovë – Serbi, gjithçka nga intervista me ambasadoren franceze Butel

Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel në një intervistë për Telegrafin ka folur për marrëdhëniet Kosovë-Francë, për çështjen e liberalizimit të vizave, vlerësimin e saj për punën e Qeverisë Kurti si dhe marrëveshjen finale Kosovë-Serbi.

Sa i përket çështjes se liberalizimit të vizave për Kosovën dhe hezitimit të shtetit të saj, ajo ka thënë se Franca konsideron, së bashku me disa shtete të tjera anëtare, se të gjitha kushtet e kërkuara nuk janë plotësuar ende krejtësisht në këtë fazë.

Kurse, sa i përket dialogut, diplomatja franceze ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është çështje sigurie dhe prosperiteti ekonomik për të dyja vendet, për rajonin dhe për Evropën në tërësi dhe se dialogu dhe vazhdimi i negociatave në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian nuk ka alternativë.

Deklarata e ambasadores për liberalizimin e vizave:

Liberalizimi i vizave për qëndrim të shkurtër për Kosovën bazohet në zbatimin e një udhërrëfyesi që përfshinte 95 kritere. Në një raport të publikuar në vitin 2018, Komisioni europian vlerësoi se të gjitha këto kritere janë përmbushur dhe rekomandoi që Parlamenti europian dhe Këshilli i Bashkimit europian t’i japin Kosovës liberalizimin e vizave. Edhe Parlamenti europian është shprehur në disa raste lidhur me këtë çështje.

Megjithatë, liberalizimi i vizave sigurisht që varet nga kriteret teknike, por procesi përfundimtar i vendimmarrjes është i natyrës politike. Ndërkohë që i takon Komisionit europian të sigurojë respektimin e kritereve teknike, vendimi përfundimtar që merret me shumicë të kaulifikuar është përgjegjësi vetëm e Këshillit të BE-së. Prandaj, do të jetë ai që do të vendosë.

Nga pala kosovare ka pasur zhvillime pozitive, siç është miratimi nga Kuvendi i Kosovës në nëntor 2018 i pakos së ligjeve që synojnë forcimin e sundimit të ligjit. Megjithatë, këto ligje nuk kanë prodhuar ende efekte të prekshme dhe të qëndrueshme. Prandaj është e rëndësishme që zbatimi i reformave nga i gjithë aparati shtetëror i Kosovës të vazhdojë dhe ligjet e miratuara të zbatohen plotësisht.

Për këtë arsye Franca konsideron, së bashku me disa shtete të tjera anëtare, se të gjitha kushtet e kërkuara nuk janë plotësuar ende plotësisht në këtë fazë. Prandaj, ne mbetemi shumë të vëmendshëm ndaj zhvillimve sa i përketë sundimit të ligjit si dhe luftës kundër korrupsionit dhe aktiviteteve të krimit të organizuar në Kosovë.

Gjithashtu, ne po punojmë në mënyrë aktive për të forcuar marrëdhëniet ndërmjet ministrive tona të brendshme. Kjo rezultoi vitin e kaluar me ardhjen në Prishtinë të disa delegacioneve dhe disa vizita në Paris nga ministri dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme. Disa veprime bashkëpunimi janë planifikuar tashmë për vitin 2022.

Deklarata e ambasadores për dialogun Kosovë – Serbi:

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është çështje sigurie dhe prosperiteti ekonomik për të dyja vendet, për rajonin dhe për Europën në tërësi. Dialogu dhe vazhdimi i negociatave në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit europian nuk ka alternativë.

Franca mbështet plotësisht Miroslav Lajçak, të dërguarin special të emëruar nga Bashkimi europian për të mbështetur këtë proces. Përveç kësaj, për të përforcuar angazhimin e saj për dialog, ajo ka ndërmarrë, me Gjermaninë, iniciativën për të organizuar një samit midis liderëve të shteteve dhe qeverive të Francës, Gjermanisë, Kosovës dhe Serbisë, fillimisht në Berlin në vitin 2019 dhe më pas në Paris në vitin 2020.

Është thelbësore që marrëveshjet e nënshkruara të zbatohen nga të dyja palët dhe që diskutimet të vazhdojnë në Bruksel për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme. 

Në intervistë, ambasadorja ka folur edhe për fokusin gjatë Presidencës franceze të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, e tema tjera me rëndësi.