Ish-presidenti i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ish-këshilltari për politikë të jashtme i ish-kancelares Merkel, Christoph Heusgen, tha në një intervistë se Gjermania duhet ta rrisë lidershipin e saj në skenën ndërkombëtare dhe ta liberalizojë politikën e eksportimit të armëve, përfshirë shqyrtimin e dërgimit të armëve në Ukrainë.
Gjermania është kritikuar shumë, pasi ka refuzuar që t’i dërgojë armë Ukrainës, ndryshe nga aleatët tjerë perëndimorë, në kohën e frikës për një sulm të mundshëm nga Rusia. Gjermania ka një politikë afatgjate për të mos eksportuar armë në zonat e luftës, të rrënjosur pjesërisht në historinë e saj të përgjakshme të shekullit të kaluar dhe në pacifizmin që erdhi pas saj, shkruan Reuters.
Ish-diplomati i lartë, i cili pritet të bëhet kryetar i Konferencës së Mynihut për Sigurinë, tha se Berlini është duke shfaqur lidership politik në krizën Rusi – Ukrainë, për shembull, duke e rikthyer formatin e Normandisë për bisedime me përfaqësues nga Ukraina, Rusia, Franca dhe Gjermania, por, sipas tij, Gjermania duhet edhe ta shqyrtojë dërgimin e armëve në mënyrë që Ukraina të mund ta mbrojë veten.
“Ia bëjmë shumë të lehtë vetes që të themi se gjithmonë kemi bërë kështu, prandaj po vazhdojmë. Duhet të kemi një debat për një rol më aktiv gjerman në politikën e jashtme dhe politikat e sigurisë (politika e eksportimit të armëve) është pjesë e saj”, tha Heusgen.
Sipas tij, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, duket se është duke e ushqyer krizën me Ukrainën për ta rritur popullaritetin brenda vendit të tij, por nuk duket se ka vendosur që të veprojë. “Ai po shikon së afërsi se si do të reagojmë ne”, tha ish-zyrtari i lartë gjerman.