Tragjedia e Gllogjanit,arrestohet një i dyshuar

Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar edhe një person lidhur me tragjedinë e Gllogjanit, ku u vranë dy nxënës dhe shoferi i autobusit.

Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se i njëjti është dërguar në mbajtje.

“VRASJE E RËNDË Fsh. Gllogjan, Deçan (NN) 26.11.2021 – 18:58. Lidhur me rastin, me 04.02.2022 është arrestuar edhe një i dyshuar mashkull  kosovar dhe i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Ndryshe, tragjedia e Gllogjanit do të mbahet mend si një ndër vrasjet më makabre që janë kryer ndonjëherë në Kosovë. Vrasja e trefishtë u krye mbrëmjen e 26 nëntorit, rreth orës 19:00.

Atë natë, autobusi që po transportonte nxënës nga Gjakova për në Deçan u sulmua ma kallashnikov. Të vrarë mbetën ngasësi i autobusit dhe dy nxënës që ndodheshin brenda.

Për motivet e rastit nuk dihej asgjë në orët, as në ditët e para. Përflitej për sulm terrorist, por policia njoftoi se s’ka arsye për të besuar se sulmi mund të ketë motive të tilla.

Të dyshuarit për sulmin nuk u zbuluan për disa ditë. Tek më 11 dhjetor, Prokuroria Themelore e Pejës njoftoi se janë arrestuar tre të dyshuar për rastin.

Për motivin nuk është dhënë ende asnjë deklaratë zyrtare, por në medie është përfolur si pistë hetimi vetëvrasja e një të reje para dy vitesh, për të cilën dikush e fajësonte shoferin.

Ajo që kishte kryer vetëvrasje ishte vajza/motra e të dyshuarve për sulmin ndaj autobusit.