Masat anti-COVID të vendosura prej një jave nga Qeveria e Kosovës sollën reagime deri në protesta.
Institucioni i Avokatit të Popullit konsideron se ora policore dhe posedimi i tri dozave të vaksinës për të hyrë në Kosovë duhet të rishikohen nga ekzekutivi.
Në anën tjetër, ekspertja shëndetësore, Aurora Dollenberg këto masa i justifikon me numrin e madh të shifrave pozitive dhe me dominim të variantit Omicron në Kosovë.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj shprehet se derisa vendet e tjera nuk kanë vendosur të tilla kufizime ndaj shtetasve kosovarë, sidomos masën për dozën e tretë, atëherë kushtëzime të tilla nuk duhet të ketë as Kosova.
Ai theksoi se lidhur me masat e vendosura nga institucionet për parandalimin e koronavirusit vazhdimisht si institucion kanë pranuar ankesa.
“Konsideroj që disa nga masat Qeveria duhet t’i rishikojë edhe pse janë të afatizuara, sidomos çështjen e vaksinimit të tretë pavarësisht bazës ligjore që ia lejon, është përtej asaj çka është e nevojshme dhe proporcionale në këtë fazë por në anën tjetër konsideroj se gjithmonë e kemi pasur si dilemë se pse duhet të vendoset ora policore megjithatë kur kjo vjen prej një niveli shkencor se është e domosdoshme ne duhet të pajtohemi me faktin dhe t’i japim legjitimitet një vendimi të tillë. Përsëris me bindje se qeveria do t’i rishikojë shpejt këto masa dhe sidomos këto dy do t’i evitojë: Orën policore dhe vaksinimin e tretë. Nëse vendet e tjera nuk praktikojnë kufizimin e lëvizjes me kushtëzim me vaksinim të dozës së tretë konsideroj se edhe ne nuk duhet ta kemi një kufizim të tillë”, theksoi ai.
Por me masat që ka vendosur Qeveria e Kosovës përmes të cilat synohet të vihet nën kontroll COVID-19, po pajtohet presidentja e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, Aurora Dollenberg.
Ajo tha për KP se masat kufizuese në pikat kufitare janë të justifikueshme pasi vendi ende ndodhet në një fazë kritike të pandemisë.
“Këto lloj masash kufizuese në aeroporte dhe në të gjitha rrugët e qarkullimit nga shteti në shtet janë të justifikuara për mendimin tim si mjeke sepse jemi akoma në një fazë kritike të pandemisë, vala e katërt sapo ka filluar dhe mund të përkeqësohet në muajt në vazhdim edhe pse shpresa është që Omicron të mos e rrisë vdekshmërinë tek të infektuarit përsëri ai ka një infektueshmëri 10 herë më të lartë, pra Omicron përhapet shumë herë më shpejt kështu që duhet të kufizojmë zinxhirin e përhapjes së infeksionit duke kontrolluar sidomos në vijat kufitare”, u shpreh ajo.
Specialistja e mjekësisë familjare, Aurora Dollenberg thotë se këto masa janë të nevojshme duke pasur parasysh edhe përhapjen e shpejtë të variantit Omicron i cili tashmë dominon në Kosovë.
Ajo tregon se nevoja për dozën e tretë rrjedh pikërisht nga fakti se të vaksinuarit me dy doza të vaksinës anti-COVID nuk janë të mbrojtur nga varianti Omicron.
“Duke u nisur nga situata kritike me të cilat ndodhet jo vetëm Kosova por e gjithë Evropa si pasojë e mutacionit të ri të Omicron është patjetër e këshillueshme që masat mbrojtëse të rreptësohen për një periudhë të caktuar për Kosovën derisa shifrat e incidencës së rasteve të reja të bjerë. Edhe pse shifrat e errëta të të infektuarve me Omicron vazhdojnë të mbeten akoma shumë të larta, përsëri supozohet që më shumë se 90% e rasteve të reja janë të infektuara me Omicron dhe kjo shifër është në rritje sidomos kur dimë që një përqindje shumë e lartë e popullatës në Kosovë është e pavaksinuar duke bërë këto përqindje të vaksinuarve edhe më të rrezikuar ndaj Omicron i cili është më i dobët se variantet paraardhëse , por përsëri mund të bëhet vdekjeprurës për të pavaksinuarit”, u shpreh ajo.
Që nga 22 janari i këtij viti Qeveria e Kosovës ka ashpërsuar masat për parandalimin e pandemisë. Ndër to ishte vendosja e orës policore nga ora 22:00 deri në orën 05:00, si dhe për hyrje të qytetarëve në Kosovë nevojiten tri dozat e vaksinës anti-COVID apo dy dozat dhe testin PCR negativ. E kjo masë e fundit ngjalli reagimin edhe të shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Luginë të Preshevës.
Aktualisht në Kosovë janë 31 mijë 21 raste aktive me koronavirus. Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKShPK), Prishtina ka më së shumti raste. Aktualisht në kryeqytet janë 9 mijë e 408 raste aktive me COVID-19, Peja me 2 mijë e 522 raste, Gjilani me 2 mijë 68 raste, Prizreni me 2 mijë e 30 raste.