Ndodh edhe kjo, Prokuroria në Pejë ngre aktakuza ndaj tre personave të vdekur

Prokuroria Themelore në Pejë, në tri raste veç e veç, ka ngritur tri aktakuza ndaj A.M., S.T. dhe F.S., të cilët i ngarkonte për veprën penale “Vjedhja e shërbimeve”, edhe pse ata kishin rreth shtatë vite, respektivisht pesë vite që kishin ndërruar jetë.

Aktakuzën e parë kjo prokurori e ka ngritur më 26 janar 2021, ndaj A.M., ndërsa me aktvendim të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, më 19 gusht të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, duke vendosur jashtë seancës gjyqësore, e ka hedhur aktakuzën ndaj A.M., duke pushuar procedurën ndaj tij, me arsyetimin se ai kishte ndërruar jetë në vitin 2014, respektivisht shtatë vite para ngritjes së aktakuzës ndaj tij.

Në arsyetimin e këtij aktvendimi thuhet se, me qëllim të gjendjes faktike, gjykata më 19 shkurt 2021, i është drejtuar Stacionit Policor në Istog, për sigurimin e informatave për të akuzuarin, dhe të njëjtit me njoftim zyrtar kanë njoftuar gjykatën se i akuzuari A.M. ka vdekur në vitin 2014.

“Të njëjtit e kanë fotografuar edhe lapidarin e tij ku është shënuar se ai ka vdekur në vitin 2014, dhe si dëshmi për këtë e kanë sjellur edhe një foto të lapidarit”, thuhet në arsyetimin e aktvendimit.

Ndryshe, Gjykata e Istogut për këtë rast, paraprakisht i ishte drejtuar edhe zyrës së regjistrimit civil në Istog, ku të njëjtit kanë njoftuar se A.M. nuk është i regjistruar në librin e të vdekurve pranë kësaj zyreje, ndërsa në librin amëz të të lindurve, është i regjistruar.

Në rastin e dytë, Prokuroria e Pejës më 12 shkurt 2021, ka ngritur aktakuzë po ashtu për vjedhje të shërbimeve ndaj S.T., dhe për këtë rast, me aktvendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, më 26 gusht 2021, duke vendosur jashtë seancës gjyqësore, ka hedhur aktakuzën ndaj S.T., duke pushuar procedurën ndaj tij.

Kjo gjë kishte ndodhur per shkak se gjykata ishte njoftuar se i akuzuari kishte ndërruar jetë, rreth pesë vite para se ai të akuzohej, respektivisht, kjo gjykatë i ishte drejtuar me kërkesë Stacionit Policor në Istog lidhur me rastin, dhe të njëjtit me njoftim zyrtar kishin njoftuar se kishin dalur në terren tek shtëpia e të akuzuarit, kishin takuar djalin e tij i cili u kishte treguar atyre se babai i tij ka ndërruar jetë më 21 shtator të vitit 2016.

“Policia kanë shkuar edhe tek varrezat e fshatit dhe kanë bërë foto të lapidarit S.T., ku është cekur data e lindjes, ndërsa data e vdekjes më 21.09.2016, të cilën foto si dëshmi ia kanë bashkangjitur njoftimit zyrtar”, thuhet në arsyetimin e aktvendimit.

Gjykata e Istogut për këtë rast, paraprakisht i ishte drejtuar edhe zyrës së regjistrimit civil në Istog, lidhur me rastin e të akuzuarit S.T., por që kjo zyre ka njoftuar gjykatën se vdekja e të ndjerit nuk është ç’lajmëruar ende nga ndodush.

Ndërkaq, Prokuroria e Pejës, në rastin e tretë, më 29 gusht 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj F.S., për vjedhje të shërbimeve, kurse Gjykata e Pejës me aktvendim po ashtu të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, më 10 prill 2020, duke vendosur jashtë seancës gjyqësore, dhe ka hedhur këtë aktakuzë, duke pushuar procedurën ndaj F.S., pasi kishte rezultuar se ai kishte ndërruar jetë rreth pesë vite para se të akuzohej.

Në arsyetimin e aktvendimit të gjykatës, ceket se më 6 mars 2020, në seancë ishte paraqitur djali i të akuzuarit F.S., i cili kishte deklaruar se babai i tij kishte ndërruar jetë më 4 mars të vitit 2014, dhe për këtë ai si dëshmi kishte sjellur certifikatën e vdekjes së babait të tij.