Ibrahimi ngre alarmin: Tentojnë t’i fotografojnë kryetarët e komunave dhe familjarët e tyre gjatë orarit të punës dhe jashtë saj

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka folur për takimin që kanë bërë kryetarët e komunave rreth ligjit të propozuar nga Qeveria Kurti për nismën e inspektimit administrativ, nisëm kjo që është kundërshtuar fuqishëm nga krerët e komunave, ndërsa është ngritur alarm se kjo nismë është kundër të drejtave të njeriut.

Ibrahimi ka ngritur alarmin rreth disa neneve shumë problematik të këtij projektligji ku ndër të tjerat thuhet se mund të fotografohen kryetarët e komunave dhe familjarët e tyre.

Ibrahimi ka thënë tutje se kjo nismë nuk është në përputhje me të drejtat e njeriut dhe kartën e të drejtave të njeriut.

“Janë disa nena problematik, tentojnë t’i fotografojnë kryetarët e punës dhe familjarët e tyre gjatë orarit të punës dhe jashtë saj.

“Ka nene diskriminues që nuk janë në përputhje me të drejtat e njeriut dhe kartën e te drejtave të njeriut”, tha Ibrahimi për rtk.

Ndërsa ka theksuar se kryetarët e komunave kanë kundërshtuar  hartimin e ligjit për nismën e inspektimit administrativ.

Projektligji po konsiderohet si tendencë e Qeverisë Kurti për të disiplinuar, madje edhe shantazhuar zyrtarët publik. Për këtë, ka pasur reagime të shumta gjatë këtyre ditëve. Albert Krasniqi, njohës i çështjeve juridike, e ka quajtur njëfarë tendence për të krijuar ‘polici sekrete në administratë’.

Duhet  theksuar se ditë më parë, është publikuar nga mediat Projektligji i Qeverisë, përmes të cilit synohet të krijohet një Inspektorat për të inspektuar punën e zyrtarëve publikë – pa paralajmërim dhe pa leje.