Pistoletat “e mençura” drejt tregut amerikan – mund t’i përdorë vetëm pronari

Të ashtuquajturat “pistoleta të mençura”, të ndërtuara për ta kufizuar numrin e atyre që mund t’i përdorin, pritet të hyjnë në tregun e madh të armëve në Shtetet e Bashkuara këtë vit, me qëllim të luftimit të vdekjeve në rritje nga armët në kohën kur ligjvënësit nuk po arrijnë marrëveshje për kufizimeve të reja.

Pyetjet rreth besueshmërisë dhe luftimeve politike e kanë përcjellë këtë teknologji me vjet, por përkrahësit e saj thonë se kjo është një mundësi që t’u ndalohet përdorimi i armës fëmijëve, kriminelëve dhe personave që kanë mendime për vetëlëndim, shkruan France24, përcjell Gazeta Express.

Prapëseprapë, pyetjet nëse armët vdekjeprurëse do të pranohen nga blerësit, nëse do të performojnë në jetën e vërtetë siç e kanë synimin ose nëse arrijnë që ta rrisin sigurinë e armëve, mund të jenë me vjet larg përgjigjeve.

Sistemi i kompanisë “SmartHunz” përdor çipa RFID, të instaluar në unazë. Kur personi e kap armën me dorë dhe në gisht e ka unazën e posaçme, zhbllokohet një mekanizëm i sigurisë, duke e mundësuar të shtënën.

Sipas qendrës hulumtuese “Pew Research Center”, rreth 40 për qind e amerikanëve të rritur jetojnë në një shtëpi ose banesë ku ka armë. Shitja e armëve në Shtetet e Bashkuara shkoi në nivel rekord më 2020 me rreth 23 milionë të shitura, sipas “Small Arms Analytics & Forecasting”.