Mbi 70 për qind të mostrave të testuara për Omicron në Kosovë, në testimet e fundit të bëra më 5 janar të këtij viti rezultuan pozitive me këtë variant.
Kështu kanë bërë të ditur përmes një përgjigje me shkrim nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Sipas të dhënave të IKSHPK-së, nga 34 mostra pozitive me coronavirus, në testimin e fundit më 5 janar 2022, 24 mostra apo 70 për qind kishin rezultuar me variantin Omicron.
Deri më tani në Kosovë tri herë ka pasur testime për variantin Omicron, ndërkaq numri i rasteve me këtë variant sipas këtyre të dhënave po rritet.
“Më datë 26.12.2021 janë testuar 23 mostra pozitive në SARS-CoV-2, prej të cilave ishin 8 (34.7%) me variantin Omicron.
Më datë 31.12.2021 janë testuar 30 mostra pozitive në SARS-CoV-2, prej të cilave ishin 10 (33.3%) me variantin Omicron.
Më datë 05.01.2021 janë testuar 34 mostra pozitive në SARS-CoV-2, prej të cilave ishin 24 (70.5%) me variantin Omicron”, kanë bërë të ditur nga IKSHPK-ja.
Ministria e Shëndetësisë është duke konsideruar rishikimin e masave antiCOVID, kjo pas rritjes së rasteve me coronavirus që është duke vazhduar tash e disa ditë në vendin tonë.
Kështu ka konfirmuar për Telegrafin, Drin Podrimqaku, këshilltar në Ministrinë e Shëndetësisë këtër ditë më parë, por deri më tani nuk ka ndonjë masë të re që ka marrë kjo ministri.
“Ministria e Shëndetësisë po i konsideron rishikimin e masave antiCovid, sipas rekomandimeve të ekspertëve shëndetësor dhe të dhënave të gjendjes epidemiologjike nga institucionet shëndetësore”, kishte thënë ai.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka njoftuar se nga fillimi i vitit ka filluar rritje e rasteve pozitive me COVID-19 e veçmas me shfaqjen e variantit të ri të virusit SARS CoV-2 Omicron (B.1.1.529) duke shtuar intensitetin çdo ditë.