Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka dhënë detaje të reja lidhur me aksidentin me fatalitet që ndodhi mëngjesin e djeshëm në rrugën Podujevë-Prishtinë.
Sipas policisë, në këtë aksident tre persona kanë humbur jetën, dy në vendin e ngjarjes dhe një tjetër gjatë trajtimit në QKUK.
Policia bënë të ditur gjithashtu se në mesin e të lënduarve është edhe një shtetas i Austrisë.
“Në rrugën nacionale Podujevë–Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale, në të cilin kanë qenë të përfshira tri vetura me targa vendore. Si pasojë e aksidentit dy meshkuj kosovarë kanë vdekur në vendin e ngjarjes dhe një tjetër gjatë trajtimit në QKUK, ndërsa lëndime trupore kanë pësuar edhe 8 persona tjerë meshkuj, 7 prej tyre kosovarë dhe një shtetas i Austrisë”, thuhet në raport.
Të lënduarit janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor.
Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore dhe ndihmës së shpejtë ka dalë edhe prokurori i shtetit me urdhrin e të cilit trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në IML për obduksion.