BE-ja nuk ka kurrfarë plani për Kosovën këtë vit

Përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian si duket kanë vënë në lëvizje të gjitha mundësit për t’i bërë bashkë.

Tashmë kur dialogu Kosovë-Serbi, ka bërë më shumë se një dekadë dhe akoma nuk ka marrëveshje finale është bërë sfidë për të gjitha Qeveritë në Kosovë.

Në një prononcim për arbresh.info nga zyra e Bashkimit Evropian u tha se Përfaqësuesit e lartë të BE-së janë duke bërë përpjekjet e tyre për të ndihmuar të dy palët që të arrijnë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve.

“Përfaqësuesi i Lartë Borrell dhe Përfaqësuesi Special i BE-së Lajçak vazhdojnë përpjekjet e tyre për të ndihmuar të dyja palët që të arrijnë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në përgjigjeje e BE-së.

Shpresa për një takim para fundit të vitit, bëri që Mirosllav Lajçak të vinte në Kosovë e po ashtu edhe në Beograd.

Vizita e tij në Beograd dhe Prishtinë ishte përpjekja e radhës për të organizuar një takim të ri ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Nuk është në pyetje takimi, sepse liderët janë takuar dy herë, por siç e dini nuk ka pasur rezultate pozitive. Kësaj here, ambiciet tona janë ndryshe dhe nuk ka të bëjë vetëm me organizimin e takimit, por edhe për t’u pajtuar, se cili do të jetë rezultati”, kishte thënë Mirosllav Lajçak.

Por një gjë e tillë nuk ndodhi, madje Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nuk e diskutoi fare.

Ka kohë që dialogu i nivelit të lartë politik Kosovë-Serbi ka ngecur për faktin që palët kanë qëndrime të ndryshme për temat që duhet të diskutohet në tavolinën.

Si fazë të parë, Kosova kërkon që të diskutohet çështja e personave të zhdukur, ndërkaq Beogradi kërkon që Prishtina të themelojë Asociacionin e Komunave me

Shumicë Serbe, çështje kjo që ishte “kryqëzuar” nga vetë Albin Kurti sa ishte edhe në opozitë.

Arbresh.info ka kërkuar të dijë nga Zyra e Bashkimit Evropian, se kur pritet të fillojë ky dialog, por që nuk pati përgjigjeje konkrete.

“Si gjithmonë, ne shpallim çdo takim të ardhshëm të Dialogut nëse dhe kur është e përshtatshme”.
Dialogu Kosovë-Serbi ka filluar qysh në vitin 2011, dhe që nga ajo kohë janë arritur një disa marrëveshje, por shumica prej tyre nuk janë zbatuar në praktikë.