Pajisjet për prodhim të kriptovalutave në ahur të kafshëve.
Pas vendimit të Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në të gjithë vendin, Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion në veri të vendit.
Në fshatin Trebicë të Komunës së Leposaviqit, në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës, janë konfiksuar 272 pajisje për prodhimin e kriptovalutave.
Për këtë aksion ka njoftuar Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Siç njofton ai, aksioni ka përfunduar pa ndonjë incident.
Ai ka bërë me dije se të tilla aksione do të vazhdojnë.
“Sot në orët e para të mëngjesit, pas kërkesës së Doganave të Kosovës, Policia e Kosovës ka organizuar aksionin e zbulimit dhe konfiskimit të paisjeve për minim të kriptovalutave. Në këtë aksion në afërsi të fshatit Trebice të komunës së Leposaviqit u konfiskuan 272 nga këto lloj paisjesh dhe është arrestuar një person. Gjithë aksioni u zhvillua dhe përfundoi pa incidente. Aksione të këtilla do të vazhdojnë deri në implementimin e plotë të vendimit të Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës”, ka shkruar Sveçla.