Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u zotua të premten për angalizhim “me mirëbesim e në thelb” në bisedimet me Rusinë javën e ardhshme, por tha se aleanca nuk do të bëjë kompromise për parimet themelore, përfshirë të drejtën e vendeve për të vendosur nëse dëshirojnë t’i bashkohen asaj.
Stoltenbergu foli në një konferencë për gazetarë, të mbajtur të premten në Bruksel pas video-konferencës së ministrave të jashtëm të vendeve të NATO-s, duke thënë se ky takim theksoi se “çfarëdo agresioni i mëtejmë ndaj Ukrainës do të kishte pasoja të konsiderueshme dhe do të bartte çmim të lartë për Rusinë”, shkruan Radioja “Evropa e Lirë”.
Megjithatë, u duk se ai nuk do të pranonte një kërkesë kyçe të Rusisë kundër zgjerimit të NATO-s. “Ne nuk do të bëjmë kompromis për parimet thelbësore, përfshirë të drejtën e secilit vend për ta vendosur rrugën e vet, përfshirë atë se pjesë e çfarë organizimeve të sigurisë dëshiron të jetë”, tha para gazetarëve sekretari i NATO-s.
Ai gjithashtu tha se ka vazhduar grumbullimi i trupave ruse afër Ukrainës. “Shohim njësi të blinduara, shohim artileri, shohim trupa të gatshme për luftime, shohim pajisje elektronike luftarake dhe shohim shumë kapacitete të ndryshme ushtarake”, tha ai, duke iu referuar ushtrisë ruse afër Ukrainës.
Sipas Stoltenbergut, grumbullimi i trupave ruse afër Ukrainës, kërkesat e Rusisë për sigurinë dhe e kaluara e saj në lidhje me Ukrainën e Gjeorgjinë “e dërgojnë mesazhin se ekziston rrezik i vërtetë për një konflikt të ri të armatosur në Evropë”.
Ndërkohë Misioni i Shteteve të Bashkuara në NATO ka thënë më herët se 30 anëtaret e NATO-s janë të bashkuara kundër veprimeve ushtarake të Rusisë në Ukrainë. “Para takimit të Këshillit NATO – Rusi, ata e theksuan nevojën për diplomaci, dialog dhe shtendosje”, thuhet në deklaratën e Misionit të ShBA-së në aleancë.