Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka folur në seancën e Kuvendit të Kosovës për krizën energjetike në Kosovë duke thënë se vendimi për shpalljen e gjendjes emergjente vetëm e legalizon shkëputjën e rrymës për qytetarët e Kosovës.
Ai ka thënë se është dashur të ndërmerren masa më herët.
“Reduktimet meqenëse janë fakt dhe po i përjetojmë tash e disa ditë, nga ajo që pashë nga vendimi që keni sjellë, po doni të legalizoni shkëputjen e rrymës për qytetarët e Kosovës. Më shumë se 2 javë ju kemi kërkuar të shpallni gjendjen emergjente, më specifikisht vendim që bazohet te neni 25 te ligji për energjinë. Jo vetëm një çek të bardhë për t’ua nalë rrymën qytetarëve kurdo që e shohin të arsyeshme institucionet.”, tha Krasniqi.
Krasniqi shprehet se është në interes të dihet se si do të dilet nga kriza.
“Ajo që neve na shqetëson më së shumti e kërkon adresim është diçka që shkon përtej krizës. Ajo që neve që na intereson është zgjidhja për krizën sado e vonuar që është. Andaj qeveria dhe institucionet vartëse duhet të shohin situatën për zgjidhjen. Më së paku për këtë çështje ka menduar qeveria. E gjitha që është munduar të bëjë qeveria është kërkesa për racionalizim të energjisë, që ne e kuptojmë, por qeveria ka dështuar të bëjë planifikimin e duhur në linja buxhetore dhe nuk e di se çfarë i ka nxitur të vonohen kaq shumë.”, tha kreu i PDK-së.
Më tutje, Memli Krasniqi tha se qeveria e udhëhequr nga kryeministri Kurti e ka kthyer në Kosovë formulën e restriksioneve të rrymës.
“Arsyet e qeverisë nuk na interesojnë. Na intereson zgjidhja. Qeveria nuk ka treguar as vetbesim për të krijuar zgjidhje, se kur s’ka zgjidhje është më së lehti të ketë akuza. Të gjithë që jeni këtu në këtë sallë, i takoni gjeneratave që kanë jetuar me një formulë në Kosovën e pasluftës, 8 me 2, 6 me 4, 3 me 3 dhe pas vitit 2008 kjo formulë u harrua dhe vendi u stabilizua me furnizim të energjisë elektrike. Ai stabilitet s’ka qenë dhuratë, as rrjedhojë e parullave. Ka qenë lexim me kohë i trendeve të energjisë. Pikërisht 3 gjërat që kjo qeveri ka dështuar t’i bëjë. Nëse ju ia keni dalë të të fitoni vota se si e shihni të ardhmën, ju s’mund ta ndryshoni të kaluarën.”, tha Krasniqi.
Gjithashtu Krasniqi tha se qytetarët janë duke e parë për keqardhje këtë qeveri.
“Para se të vini ju në pushtet, qytetarët kanë pasur dritë, ju i rikthyet sërish në terr. Ju e rikthyet në Kosovë formulën e restriksioneve elektrike. Qytetarët po e shohin për keqardhje këtë qeveri, jo veç për krizën, por po janë të papërgjegjshme përballe krizës. Kryeministri po mundohet me e heqë një vesvese, por ai nuk ka ardhur as sot të përballet për këtë situatë.”, tha ai.