Maqedonia e Veriut regjistron rastin e parë të variantit Omicron

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar në vend është regjistruar rasti i parë i variantit Omicron të koronavirusit.

Në njoftimin e ministrisë thuhet se bëhet fjalë për një person i cili ka ardhur nga Britania, ndërsa i njëjti edhe më herët, në janar të këtij viti, ka qenë i infektuar me COVID-19.

“Pas shërimit, pacienti ka pranuar dy doza të vaksinës Pfizer. Para dy ditësh rezultoi pozitiv në COVID-19 për herë të dytë, pas çka u konfirmua se bëhet fjalë për variantin Omicron. Pacienti aktualisht ka një pasqyrë të lehtë klinike dhe po trajtohet i izoluar në shtëpi”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Maqedonia e Veriut gjatë 24 orëve të fundit ka regjistruar 266 raste të tjera me COVID-19 si dhe 717 pacientë që fituan betejën kundër virusit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me koronavirus në vend ka arritur në 222.932, prej të cilëve 210.319 janë shëruar.

Vendi po ashtu regjistroi 15 viktima të tjera nga COVID-19, duke e çuar në 7.894 numrin e përgjithshëm të tyre.

Që nga shpërthimi i pandemisë, autoritetet shëndetësore të vendit kanë kryer 1.570.171 teste të dyshuara për COVID-19, përfshirë 4.572 teste të kryera brenda ditës së fundit.

Aktualisht numri i rasteve aktive me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut është 4.719.