Reduktimet mbi 2 orë, KEDS i përgjigjet Qeverisë: Po ndodhin për shkak të prishjeve

KEDS ka mbajtur konferencë për media në lidhje me krizën energjetike në vend.

Bujar Jupaj, drejtor i sistemit të operimit në KEDS është përgjigjur ndaj ministres Rizvanolli e cila tha se janë duke përpiluar dosje për të dorëzuar në polici në lidhje me reduktimet që po zgjasin më shumë se dy orë.

“Ajo që ne garantojmë është se planifikimi është zbatu në përpikmëri. Por në moment që kemi dalje të mëdha, pas aktivizimit të daljes, vijnë deri tek djegia e kabllove dhe nënstacioneve. Këtë edhe mund t’ua dëshmojmë. Pra nuk është si pasojë që ne nuk e përfillim planifikimin. Ne 97-98 përqind e kemi pasur planifikimin”, tha Jupaj.

Ai tutje tha se konsumatori nuk ka asnjë gjasë që të ketë 20 orë mungesë rryme të planifikuar.

“Nuk ka mundësi që konsumatori me pas 20 orë mungesë rryme me reduktim të planifikuar, vetëm nëse ka djegie apo prishje tjera”, tha ai.

“Aktualisht mbi 400 punëtorë i kemi në terren për aktivizimin e energjisë”, tha ai.