Shkruan Egzon Rexhepi
Siq edhe dihet që lufta e fundit në Kosovë, përpos pasojave të humbjeve të jetërave të njerëzve, masakrimeve, djegieve dhe shkatërimeve në masë të madhe, është edhe një aspekt i cili rrallëherë diskutohet e rrallëherë trajtohet me seriozitetin e duhur. Është stresi postraumatik i atyre që i kanë mbijetuar luftës qoftë edhe pa asnjë lëndim të vetëm fizik. Për këtë kategori njerëzish periudha e pasluftës ka qenë një luftë tjetër, në të cilën u është dashur të luftojnë të vetëm. Si njerëz jemi të prirur të shikojmë rezultatet më shumë nga ana materiale se sa nga ajo shpirtërore, materia është ajo që shpeshëherë na udhëheq. Prandaj në aspektin e riparimit të dëmeve, si shoqëri edhe rezultatet i kemi jo të kënaqshme dhe të mangëta.
Të themi se nuk ka pasur fonde të mjaftueshme është e kuptueshme, sepse dëmet materiale vlerësohen lehtë dhe riparimi i tyre ka një çmin të caktuar, por dëmet psiqike, pasojat e traumave dhe ndikimi i tyre në përditshmërinë e këtyre njerëzve nuk kanë një çmin vlerësues monetar sa do që të mundoheshim. Por normalisht ndikimi do të vërehej po të ofrohej një qasje dhe një ndihmë konkrete, e tërësishme dhe stabile. Mos aplikimi i duhur e në masë të madhe edhe fare hiq i ndihmës sociale përmes mekanizmave shtetëror, e ka sjellur vendin në një situatë që edhe 21 vite pas përfundimit të luftës njerëzit ende të vuajnë nga pasojat edhe të dëmeve shpirtërore, por edhe materiale.
Shtresa të lëna pas dore kemi shumë, por më të nënçmuar si nga shteti ashtu edhe nga paragjykimet shoqërore janë femrat dhe meshkujt e dhunuar gjatë luftës. Ato kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë nën dy turpe, turpi nga vetvetja dhe turpi nga shoqëria. Me qëllim fjalën turp nuk e vendosa në thonjëza, sepse gjendja reale do të duhet të ishte që kjo kategori nuk ka nevojë të ketë turp, por neve si shoqëri do të duhej të na turpëronin me mospërpjekjen për të i stabilizuar dhe ofruar mbështjetjen e duhur. Por ajo çfarë mbizotëron është se me të vërtet është ajo që shihet në përditshmëri. Një proces aplikimi për pension mujor, i lënë në gjysmë. Një fushatë e pa menduar saktë dhe drejtë, pa plan dhe inkurajim që këta persona të marrin mbështjetjen e duhur. Kjo kategori janë të tradhtuar shumë herë, një herë nga vetë jeta, e herën tjetër nga shteti dhe mekanizmat e tij si dhe nga shoqëria.
Kategori tjetër janë ish pjestarët e luftës së UQK-së. “Më shumë se 50 pjesëtarë të UÇK-së kanë vrarë veten pas luftës” thotë titulli i lajmit në portalin indeksonline në vitin 2018. Këta ish pjestarë i mbijetuan luftës me armikun, por nuk mundën të i mbijetojnë luftës së pasluftës me shoqërinë në të cilën jetonin. Të lënë pas dore, me një ligj që filloi miratimin të paktën 16 vjet pas përfundimit të luftës. Edhe kur filloi miratimi, numri i veteranëve u shtua qëllimisht sikurse këpurdhat pas shiut. Ironikja ishte se ata që kishin qenë me të vërtetë mbetën jashtë listave, kurse ata të cilin kishin shikuar luftën në televizor u futën në listat e veteranëve dhe filluan të vjelin pensionet nga buxheti i shtetit të cilit i’a kishin kthyer shpinën. E gjithë kjo është histori e njohur për të gjithë ne, sepse të gjithë në një mënyrë apo tjetrën jemi të prekur nga lufta, por kjo gjithnjë ka shërbyer edhe si arsyetim për prapambetje. Lufta ka qenë dhe mbetet një katarsis moral për të gjithë ata individë që vodhën e mashtruan në emër të saj, e që përmes kësaj veprimtari jetën e pasluftës e shndërruan në një fushëbetejë ku njerëzit nuk vriteshin vetëm me plumba. Kjo periudhë e kësaj lufte vazhdon edhe në ditët e sotme, madje ka përfshirë çdo sferë të jetës. Kriza morale, ambiguiteti i personalitetit, shkollimi i të rinjëve në Kosovë që të ikin për në Gjermani të punojnë ndershëm, kurse shkollimi i të rinjëve nëpër universitetet më prestigjioze për të ardhur e rrjepur shtetin, janë kriza që na përcjellin në çdo hap.
Po në në këtë luftë të pasluftës cili do të jemi fitues. Përgjigja do të ishte që asnjëri prej nesh.